Deklaratë e zëdhënëses së KQZ-së, Drilon Hoxhaj për përmbylljen e procesit zgjedhor
Sot, KQZ çertifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve duke përmbyllur procesin zgjedhor të 25 qershorit, ku 46.77 % e qytetarëve Ju drejtuan qendrave të votimit dhe shprehën vullnetin e tyre me votë për të zgjedhur deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.
Vendimmarrja e sotme e KQZ-së mbyll një proces zgjedhor mjaft kompleks për shkak të rrethanave politike në vend, të cilat sollën ndryshimet ligjore në ligjin “Për partitë politike” dhe Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë vetëm disa ditë para datës së zgjedhjeve, gjë e cila e vuri KQZ-në para vështirësive dhe sfidës së kohës së kufizuar që pati në gadishmëri për miratimin e akteve ligjore dhe përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
Pavarësisht problematikave që shoqëruan këtë proces zgjedhor, KQZ si organi më i lartë përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve, punoi intensivisht për përgatitjen dhe mirëadministrimin e zgjedhjeve, duke bërë të mundur miratimin e akteve të rëndësishme nënligjore dhe administrative brenda një kohe të shkurtër si dhe përgatitjen e materialeve zgjedhore e cila nuk mungoi në asnjë nga 90 KZAZ-të dhe 5362 qendrat e votimit.
Gjatë gjithë ditës së votimit e në vijim, KQZ-ja informoi publikisht nëpërmjet deklaratave për shtyp ecurinë e procesit, të dhëna statistikore rreth tij, si dhe adresoi shqetësime/komunikime/thirrje.
Në këto zgjedhje vlen për tu theksuar se si rrallë herë në historinë e proceseve zgjedhore, procesi i numërimit të votave përfundoi brenda 47 orëve, duke dëshmuar se vullneti i partive politike për të mos inteferuar në veprimtarinë e komisionerëve të niveleve të ndryshme, ndikon në zbatimin në kohë dhe cilësi të ligjit zgjedhor.
Përmes faqes zyrtare të web-it dhe monitorëve LED (ekraneve të mëdhenj), të lidhur direkt me Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, u transmetuan rezultatet online, rezultate të cilat u pasqyruan nga media dhe u ndoq nga publiku në kohë reale.
Në këto zgjedhje u konsolidua praktika e vendosur tashmë që KQZ të jetë burimi i informacionit për çdo raportim mediatik duke bërë që publiku të informohej në mënyrë të saktë dhe korrekte me rezultatet paraprake, pa shkaktuar konfuzion në informacionet e dhëna.
Gjithashtu, jo pa interes përfundoi procesi i relatimit dhe shqyrtimit të kërkesave ankimore të paraqitura pas datës 25 qershor nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje, ku u paraqitën 4 kërkesa ankimore, një prej të cilave u tërhoq nga vetë subjekti. Kundër vendimeve të KQZ-së, nuk është bërë asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke qenë i ndërgjegjshëm për sfidat që një proces zgjedhor mbart, në vazhdimësi do të vlerësojë e rivlerësojë me shumë seriozitet çdo moment të punës së Institucionit, bazuar kjo edhe në Raportin e OSBE/ODIHR.
Raporti Përfundimtar i OSCE/ODIHR do të jetë pjesë thelbësore e analizës së punës së KQZ, e cila do të vlerësojë nevojën për ndryshime dhe përmirësime, si të anës legjislative, kryesisht të Kodit Zgjedhor, ashtu edhe të anës organizative të vetë KQZ-së.
Së fundi, në emër KQZ-së dhe veçanërisht kryetarit të saj, dëshiroj të falënderoj;
– median, televizionet, gazetat dhe median elektronike dhe atë të rrjeteve sociale, të cilët bashkëpunuan ngushtë me KQZ-në dhe kontribuan në pasqyrimin e çdo aspekti të zgjedhjeve me profesionalizëm, paanshmëri dhe korrektesë, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në informimin, sensibilizimin e qytetarëve dhe rritjen e transparencës.
-Partitë politike garuese në zgjedhje të cilat bashkëpunuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e procesit brenda një kohe të shkurtër.
-Vëzhguesit vendorë dhe shoqërinë civile të cilët me raportimet e tyre jo vetëm treguan se ishin pjesë aktive e procesit të zgjedhjeve por edhe kontribues të rëndësishëm për monitorimin dhe raportimin e çdo problematike përgjatë procesit zgjedhor.
-organizatat ndërkombëtare dhe partnerët të cilët e mbështetën KQZ në punën e tij dhe monitoruan procesin duke kontribuar në miradministrimin dhe rritjen e besueshmërisë së zgjedhjeve të datës 25 qershor.
Ju faleminderit!