Sot, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri dhe Zëvëndëskryetari z. Denar Biba pritën në takim Drejtorin e Programit për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme dhe Commonwealth-it në Britaninë e Madhe, z. Robert Chatterton Dickson, i cili shoqërohej nga znj. Dawn McKen, Drejtore për Programet në Evropë dhe Bashkimin Europian, Christian Dennys, Drejtor (në detyrë) i Sekretariatit Kombëtar të Sigurisë (NSS Joint Programme Hub), Zv.Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, z. Sean Melbourne dhe Drejtoresha e Institutit Demokratik Amerikan, zj. Ana Kadovic.

Takimi u zhvillua në kuadër të mbështetjes dhe asistencës së Ambasadës Britanike ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nëpërmjet programit të NDI.

Kryetari i KQZ-së bëri një panoramë të punës së bërë në fushën e financimit të partive politike më mbështetjen dhe ekspertizën e ekspertëve të sjellë nga NDI dhe Ambasada Britanike.
Zoti Zguri e konsideroi këtë mbështetje si një pikë kyçe në përballimin e sfidës më të cilën KQZ u përball vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 2017, dhe që u kalua me sukses vetëm në sajë të bashkëpunimit me NDI, Këshillin e Evropës dhe Ambasadës Britanike.

Duke i falenderuar për mbështetjen e deri tanishme, Kryetari i KQZ-së, z. Zguri u shpreh se hapat e ndërmarrë deri tani nga KQZ për rritjen e transparencës së financimit të partive politike kanë qënë të vegjël por të sigurtë, ndaj kërkoi që ky bashkëpunim të vijojë edhe për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore që do të mbahen në vitin 2019.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua lidhur me pikat kryesore ku duhet të fokusohet në të ardhmen bashkëpunimi mes KQZ-së, NDI dhe Ambasadës Britanike.