Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori një ankesë në datën 04.02.2019, që pretendonte përdorimin e paautorizuar të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale. Në veçanti, ankesa pohonte se disa institucione shtetërore kanë vendosur në faqet e tyre të internetit imazhe dhe slogane të përdorura në fushatë nga parti politike. KQZ-ja shqyrtoi pretendimin e ngritur në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit “Për Partitë Politike” të ndryshuar. Neni 88 i Kodit Zgjedhor në mënyrë eksplicite ndalon përdorimin e burimeve të organeve publike në nivel qendror apo lokal në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve zgjedhore.
Në përgjigje të kësaj ankese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me shkresë zyrtare të gjitha institucioneve për t’iu kujtuar atyre ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal në funksion të fushatës zgjedhore. Gjithashtu, KQZ i ka kërkuar të gjithë nëpunësve ndërlidhës të institucioneve kanë si detyrë sipas nenit 4, pika 3 e Kodit Zgjedhor, t’i paraqesin KQZ-së informacion të plotë me shkrim për urdhrat e titullarit të tij, për cdo veprimtari që mund të ndikojë osë dëmtojë administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe transparente.
Gjithashtu referuar nenit 4, pika 5 i Kodit Zgjedhor, KQZ-ja ka informuar dhe udhëzuar zyrtarët ndërlidhës që institucionet shtetërore të heqin imazhet të tilla nga faqet e tyre të internetit dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar që burimet publike nuk do të përdoren në funksion të fushatës zgjedhore për periudhën në vazhdim.