Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme, miratoi një nga aktet më të rëndësishme, “Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së”, të cilën KQZ nuk kishte arritur ta miratonte që prej vitit 2008. Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e KQZ-së, u miratua me konsensusin e plotë të Anëtarëve të KQZ-së dhe pas një konsultimi të gjërë me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe ekspertëve të Këshillit të Europës dhe OSBE-së.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se në zbatim të nenit 184, pika 3 e Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, KQZ-ja me vendimin nr. 87 të datës 07.04.2015, ka miratuar disa afate proceduriale shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor si: miratimi i afateve për ngritjen e KZAZ-ve dhe depozitimin e dokumentacionit të kandidimit në KZAZ nga Grupet Nismëtare, për zgjedhjet për Organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015, si pasojë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”.
Në këtë kontekst, KQZ ju rikujton partive politike se:
– data 9 prill 2015 është afati i fundit për dorëzimin e propozimeve të kandidtaurave për anëtar të KZAZ-së.
– Data 14 prill 2015, është data e zhvillimit të mbledhjes së parë të KZAZ-ve të ngritura në të gjithë vendin.
– data 14 prill është afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 21 qershor.
– data 18 prill 2015 është afati i fundit për depozitimin e kërkesave nga Komitetet nismëtare për paraqitjen e kandidateve të propozuar nga zgjedhësit.
Gjithashtu, përmes kësaj dekarate publike ju bëjmë thirrje Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore që t’i sjellin menjëherë pranë KQZ-së propozimet e tyre për ambientet ku do të vendosen zyrat e KZAZ-ve, pasi afati i miratuar nga KQZ për konstituimin e KZAZ-ve është data 14 prill.
Faleminderit