Sot, u zhvillua tryeza teknike “Zbatimi i ligjit për dekriminalizimin – mësimet e nxjerra dhe hapat përpara”, me pjesëmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Tryeza kishte si qëllim diskutimin mbi mësimet e nxjerra nga zbatimi i ligjit 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.

Duke marrë parasysh faktin se për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri, parandalimi dhe ndëshkimi i veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, ka një rëndësi të madhe,  të dy institucionet nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Memorandumi synon bashkëpunim serioz dhe të vazhdueshëm midis KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, përmes shkëmbimit të informacionit, zhvillimit të aplikacioneve kompjuterike të përbashkëta për të ftuar të gjithë qytetarët për të denoncuar shkelje të ligjit ditën e zgjedhjeve, e të tjerë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri tha se: “Proceset politike në vend nuk varen as nga KQZ dhe as nga Prokuroria e Përgjithshme. Por zbatimi i ligjit është detyrë e jona dhe duhet të ushtrohet pa kompromis. Ne duhet të qëndrojmë publikisht në mbrojtje dhe në zbatim të ligjit, pa tolerancë, pa pazare dhe pa kompromis. Jo gjithmonë institucionet kanë folur me të njëjtën gjuhë, jo gjithmonë standardi i matjes dhe i vlerësimit ka qenë i njëjtë. Unë besoj se veshtirësitë në implementim nuk kanë qenë për shkak të vullneteve të kundërta apo kontradiktore, por më shumë për shkak se dekriminalizimi si proces ligjor, kishte nevojë për kolaudim. Institucionet kishin nevojë të ushtroheshin me investigimin e rasteve, kishin nevojë të njëhsonin vlerësimet, të unifikonin praktikat. Sot rruga duket se është shtruar dhe institucionet flasin me një gjuhë. Shenjë e këtij realiteti është memorandumi i sotëm. Ai është shembull përkushtimi dhe serioziteti”.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt u shpre se; “Është një kënaqësi e veçantë për mua që gjendem sot këtu në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimin mes institucioneve tuaja, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Ky është një hap shumë pozitiv përpara në bashkëpunimin mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ai krijon bazën e nevojshme për një luftë më të efektshme ndaj manipulimeve zgjedhore, si dhe për një pastrim më efektiv të listave të kandidatëve nga shkelësit e ligjit apo nga personat që po hetohen penalisht”.

Prokurorja e Përgjithshme, znj. Arta Marku u shpreh se; “Kjo marrëveshje thekson vullnetin e përbashëkt institucional për të bashkëpunuar në funksion të një procesi zgjedhor në përputhje të plotë me ligjin, një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Jam e bindur se ky është një hap pozitiv për procesin zgjedhor, dhe jam e bindur se do t’i shërbejë këtij procesi”.

 Tryeza vijoi më tej me diskutime teknike lidhur me çështjet e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

Fjala e plotë e Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve