RIPËRSËRITJE E NJOFTIMIT PËR REKRUTIMIN E TRAJNUESVE

Në zbatim të vendimit nr.12, datë 21.01.2015, të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “Për miratimin e strategjisë së trajnimit të komisionerëve zgjedhorë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2015”, u kryen procedurat për përzgjedhjen e trajnuesve të komisionerëve zgjedhorë që do të angazhohen nga KQZ për zgjedhjet e datës 21.06.2015.

Në përfundim të kryerjes së këtyre procedurave, është konstatuar se numri i aplikantëve për trajnues, të komisionerëve zgjedhorë të niveleve të dyta dhe të treta, nuk është plotësuar, sipas nevojave që ka institucioni.

Për këtë arsye, KQZ ripërsërit njoftimin për rekrutimin e trajnuesve. Afati i dorëzimit të dokumentacionit përkatës dhe kriteret që duhen plotësuar janë si më poshtë:

– Afati i paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit përkatës deri më datë 4 mars 2015;

– Kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit të trajnuesit (sikundër në njoftimin e parë):

1. Të jetë me arsim të lartë, avantazh jurist dhe eksperienca si trajnues i KQZ-së.

2. Të kenë njohuri për Kodin Zgjedhor, detyrat dhe përgjegjësitë e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë;

3. Të jetë me vendbanim brenda qarkut, ku ata do të përfshihen si trajnerë të komisionerëve zgjedhorë (KZAZ, KQV, GNV);

4. Të mos jetë i zgjedhur në organet drejtuese qendrore apo vendore të partive politike;

5. Të mos jetë kandidat për kryetar/këshilltar bashkie;

6. Të mos jetë në detyrë në strukturat e organeve të Policisë së Shtetit dhe ushtarakë aktiv si dhe Shërbimit Informativ;

7. Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;

8. Të mos jetë i dënuar administrativisht për shkelje të dispozitave, të cilat lidhen me zgjedhjet apo të jenë përjashtuar nga shërbimi civil;
9. Të ketë aftësi komunikimi manaxhimi dhe raportimi, të përdorë lehtësisht programet bazë kompjuterike.

Dokumentacioni që duhet paraqesë aplikanti për trajnues:

1. Kërkesë adresuar KQZ-së me të cilën kërkon për t’u angazhuar si trajnues ku të specifikohet qarku dhe bashkia respektive ku kërkon të jetë trajnues (e nënshkruar);

2. Curriculum Vitae (CV);

3. Diplomë e shkollës së lartë (e noterizuar);

4. Vërtetim pune, nëse është i punësuar;

5. Kopje të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim/kartë identitetit), kopje;

6. Çertifikatë personale ose vërtetim nga njësia administrative për vendbanimin;

7. Çertifikatë trajnimi ose dokument tjetër, që vërteton eksperiencën si trajnues (nëse ka);

8. Deklaratë, e firmosur, për përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, pikat 3, 4, 5, 6, dhe 7.

Dokumentacioni i kërkuar duhet të dorëzohet brenda datës 4 Mars 2015, në Zyrën e Protokollit të KQZ-së, kohë e cila do të korrespondojë edhe me intervistën me gojë me kandidatët për trajnues e cila do të zhvillohet në ambientet e KQZ-së.

Afati i punësimit do të jetë rast pas rasti 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) ditë.