Sot, Kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi dhe Zëvëndëskryetari, z. Denar Biba, kanë qenë të pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili shqyrtoi raportin vjetor për veprimtarinë e KQZ-së për vitin 2014.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Lefterije Luzi, në mënyrë të përmbledhur ka raportuar veprimtarinë e KQZ-së për vitin 2014, vit i cili edhe pse përkon me një vit jo-zgjedhor, ka qenë i ngarkuar në veprimtarinë e institucionit. Zonja Luzi tha se, “Veprimtaria e KQZ-së është fokusuar kryesisht në realizimin e kërkesave të paraqitura nga Kuvendi i Shqipërisë në projekt-rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2013”, në problematikat e dëshmuara, gjatë procesit zgjedhor të 2013, duke bërë analizën e tyre nën optikën Raportit Përfundimtar të OSBE/ODHIR”.
Ndër të tjera Kryetarja e KQZ-së përmendi pesë tryezat teknike që KQZ ka organizuar me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë: Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Zyrës së Këshillit të Europës, UN Women.
Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi i siguroi anëtarët e Komisionit për cceshtjet Ligjore se KQZ, mbetet tërësisht e angazhuar për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor të radhës, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme në përputhje me standardet e kërkuara.
Në përfundim të raportimit të znj. Luzi, Komisioni votoi pro, “Raportit për Veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , 1 Janar – 31 Dhjetor” dhe hartimit të rezolutës për t’ia paraqitur më pas seancës plenare.

Link: Përmbledhje e Raportit për Veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e raportuar nga Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi.