Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka trajnuar 52 trajnues të KZAZ-ve, të cilët do të trajnojnë komisionerët e nivelit të dytë në të gjtithë vendin. Gjithashtu, pjesëmarrës në trajnim ishin dhe 24 inspektorë të zyrave rajonale, të cilët janë ura e komunikimit dhe koordinimit ndërmjet KQZ-së dhe Komisioneve Zgjedhore,

Në kuadër të “Strategjisë së Trajnimit” të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përmbushje të detyrave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, trajnimi ka si qëllim rritjen e profesionalizimit të trajnerëve dhe inspektorëve rajonal në administrimin e procesit zgjedhor si dhe përmbushjen e detyrave të tyre në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Fokusi kryesor i trajnimit ishte roli i Komisioneve të Zonave të Admnistrimit Zgjedhor që nga konstituimi i tyre deri në ditën e votimit. Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë i’u kushtua ndryshimeve teknike të bëra në Kodin Zgjedhor, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit të Zonës të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-së), kodi i sjelljes/etik për komisionerët zgjedhorë, si dhe tema të tjera të lidhura me procesin zgjedhor të datës 21 Qershor 2015.

Metodologjia e përdorur nga Administrata e KQZ-së përmes manualeve, fletoreve të punës dhe materialeve të prodhuara nga KQZ, për t’i ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-ve si gjatë trajnimit, ashtu dhe gjatë ushtrimit të detyrës, bënë që trajnimi të zhvillohej në formë bashkëbisedimi interaktiv, ku u sollën shembujt konkret të hasura në zgjedhjet e kaluara por edhe të problematikave të mundshme që mund të krijohen gjatë proçesit të zgjedhjeve dhe mënyrën sesi Kodi Zgjedhor u jep këtyre problematikave zgjidhje.

Në përfundim të sesionit të trajnimit, inspektorët rajonal dhe trajnuesit vlerësuan pozitivisht efikasitetin që sollën risitë dhe metodologjia e trajnimit që Administrata e KQZ –së solli në këtë fazë të parë të trajnimit.

Në zbatim të “Strategjisë së Trajnimit të Komisionerëve”, të miratuar nga KQZ, faza e dytë e trajnimit do të zhvillohet në muajin Qershor.