Celebrohet Dita Botërore e Zgjedhjeve

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve celebroi Ditën Botërore të Zgjedhjeve.

Dita Botërore e Zgjedhjeve, e cila mbahet çdo vit të enjten e parë të muajit Shkurt, u zhvillua në formën “Open day”,  me nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit.

Sikundër tashmë është bërë traditë, përmes veprimtarive të tilla, nën simbolikën e kësaj dite, KQZ synon përcjelljen e mesazheve edukuese dhe sensibilizuese mbi rëndësinë e votës si gur i themelit të demokracisë në vend.

Në formën e një  bashkebisedimi  me të rinjtë, u trajtua rëndësia e pjesëmarrjes në zgjedhje, procedurat e votimit në qendrën e votimit, fenomenet negative që cënojnë procesin zgjedhor si votimi familjar, të drejtat dhe detyrimet e zgjedhësit në proces e të tjerë.

Roli dhe rëndësia e secilit element në procesin e votimit, përfshiu të gjithë të rinjtë në diskutime të lira, të cilat u shoqëruan edhe me opinionet e tyre mbi procesin real të zgjedhjeve, si edhe me simulin e procesit të votimit.

Të rinjtë gjatë dikutimeve treguan interes për administrimin zgjedhor, për mënyrën se si funksionon administrata zgjedhore, mjetet e reja që KQZ po përdor për komunikimin me votuesit siç ishte aplikacioni “VOTO 2017” i përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Interes të veçantë për ta përbënin veprat penale që cënojnë zgjedhjet e lira, si fotografimi i votës, ndikimi i vullnetit të zgjedhësit edhe përmes shit-blerjes së votës.

Të rinjtë theksuan se dënimi moral i këtyre fenomeneve negative që cënojnë votën lirë, të fshehtë dhe të barabartë është po aq i rëndësishëm sa dënimi penal.

Votuesit për herë të parë janë grupimi për të cilët KQZ zhvillon projekte të ndryshme edukimi zgjedhor, ku edhe celebrimi i Ditës Botërore të Zgjedhjeve ditën e sotme, u zhvilluan në sajë të bashkëpunimit me Drejtorinë Rajonale Arsimore Tiranë.