KQZ zhvillon sesione trajnimi/edukimin me votuesit për herë të parë në Burrel. 

Trajnim edhe për gratë dhe Administratën e Bashkisë së Matit. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar me sesionet edukuese dhe trajnuese në kuadër të përmbushjes së kompetencës së tij ligjore, për edukimin dhe trajnimin në periudhë jozgjedhore.

KQZ  në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Mat zhvilloi sesion edukimi me maturantë të dy shkollave të mesme të Burrelit, “28 Nëntori” dhe “Pjetër Budi”. Sesioni i edukimit me temë “Vota dhe vlera e saj në demokraci”, kishte si qëllim informimin dhe sensibizimin e maturantëve,  të cilët në zgjedhjet e ardhshme për për organet e qeverisjes vendore do të jenë votues për herë të parë lidhur me rëndësinë e votës së lirë, të fshehtë dhe të pandikuar, si edhe për veprat penale që cënojnë procesin zgjedhor.  Përmes simulimit të procesit të votimit, të rinjtë u njohën  me procedurat që ndiqen në qendrën e votimit, si edhe me veprimet jo ligjore (fotografimi i votës, votimi familjar) që cënojnë stadardet e procesit zgjedhor.

Gjithashtu, Administrata e KQZ-së zhvilloi sesion trajnimi me administratën e  Bashkisë së Matit, ku e pranishme ishte edhe Nënkryetarja e Bashkisë,  znj. Anjeza Shema. Në fokus të trajnimit ishin detyrat që Kodi Zgjedhor i ngarkon Organeve të Qeverisjes Vendore në administrimin e procesit zgjedhor.  Gjatë bashkëbisedimit, adminsitrata e Bashkisë Mat shprehu vullnetin për të hartuar dhe publikuar  në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor të ekstraktit të përbërësve zgjedhor, caktimin e vendndodhjes së Qendrave të Votimi si dhe krijimin e kushteve infratrukturore për personat me aftësi të kufizuara për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore që do të mbahen në vitin 2019.

Pjesë e aktiviteteve edukuese dhe trajnuese të KQZ-së ishte edhe takimi me gratë e “Forumit të gruas” në Burrel, të cilat u sensibilzuan që të mos pranojnë fenomenet negative që cënojnë dhe tjetërsojnë vullnetin e tyre në zgjedhje, siç është votimi familjar, apo veprat e tjera penale që cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Nga ana e tyre, gratë u shprehën se ndihen të papërfaqësuara në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta apo të treta.