Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme miratoi udhëzuesin dhe formatin e standartizuar të raportimit financiar të fushatës zgjedhore.
Udhëzuesi dhe formati i standartizuar janë hartuar në bashkëpunim më ekspertët e Institutit Demokratik Amerikan (NDI) dhe Këshillit të Europës (KIE) dhe vjen si përmirësim i formatit të përdorur deri tani, i miratuar nga KQZ me vendimin nr.3, dt. 18.01.2012.
Ky akt, ka si qëllim rritjen rolit aktiv të KQZ-së në kontrollin mbi financimin e fushatës zgjedhore dhe rritjen e transparencës në lidhje me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për qëllime të fushatës zgjedhore.
Udhëzuesi fokusohet në rregullat e “financimit të fushatës zgjedhore”, të cilat zbatohen gjatë periudhës së fushatës zgjedhore dhe është i ndarë në dy pjesë.
• Pjesa e parë ofron një pasqyrë të kuadrit ligjor që drejton rregullat dhe aspektet e financimit të fushatës zgjedhore.
• Pjesa e dytë paraqet udhëzime për plotësimin e raportit financiar të fushatës zgjedhore.
Formulari tip synon:
• Rritjen e transparencës në lidhje me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për qëllime të fushatës zgjedhore, pasi përmban detaje të hollësishme si për të ardhurat ashtu edhe për shpenzimet.
• Lehtësimin e raportimit nga ana e subjekteve zgjedhore për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për qëllime të fushatës zgjedhore. Në formular raportohen veçmas dhe në mënyrë të detajuar fondet publike dhe fondet jopublike. Gjithashtu, formulari ka një hapësirë të posaçme për detajimin e shpenzimeve për mitingje të fushatës duke dhënë informacion të detajuar për këtë zë të shpenzimeve.
• Lehtësimin e përpunimit të informacionit nga ana e strukturës së posaçme në KQZ për shqyrtimin e raporteve financiare dhe kryerjen e verifikimeve përkatëse.
Formatet e standartizuara, do të dorëzohen nga partitë politike në KQZ në formatin e shkruar (hard-copy) dhe elektronik, të cilat do të publikohen në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së menjëherë me përfundimin e fushatës zgjedhore.