Biba apel për respektimin e ligjit nga komisionerët dhe për pjesëmarrjen e të rinjve në votim.
Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba kërkon nga komisionerët e angazhuar në zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Kolonjë, që të administrojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave, në mënyrë korrekte dhe në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së.
Në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të bashkisë së Kolonjës, kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba ka zhvilluar një sërë takimesh me qëllim ndjekjen nga afër të procesit parazgjedhor dhe diskutimi me komisionerët e nivelit të II-të e të III-të për problematikat në funksion të përmbushjes korrektësisht të detyrave të tyre, si dhe me të rinjë, votues për herë të parë.
Zoti Biba takoi anëtarët e KZAZ-së nr. 73, ku diskutuan mbi ecurinë e deritanishme të procesit dhe mirëmenaxhimin e procesit gjatë ditës së votimit dhe veçanërisht gjatë numërimit të fletëve të votimit.
Kryetari i KQZ-së kërkoi nga komisionerët, zbatimin korrekt të të gjithë procedurave ligjore në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të kryhet në një atmosferë të qetë.
Në vazhdim, Kryetari i KQZ-së, z. Biba zhvilloi një takim me të rinjtë e Shkollës së Mesme “Petro Nini Luarasi”, me qëllim sensibilizimin, ndërgjegjësimin, informimin e tyre për pjesmarrje në zgjedhje, dhe ushtrimin korrekt të së drejtës kushtetuese të zgjedhjes, në mënyrë të lirë , të fshehtë, dhe të pandikuar.
Kryetari i KQZ-së, z. Biba u bëri apel të rinjve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të votojnë mbi bazën e bindjes së tyre.