Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi mori pjesë në trajnimin e radhës që KQZ zhvilloi në qytetin e Elbasanit. Në sesionin e edukimit të votuesve për herë të parë, Znj. Luzi i’u adresua të rinjve me mesazhin; “Ushtroni të drejtën e votës të lirë dhe të pandikuar nga të tjerët”.

Kryetarja e KQZ-së, theksoi se votuesit për herë të parë, janë prioritet i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për edukimin zgjedhor, pasi edukimi i të rinjve sot, është rritje e standardeve zgjedhore në të ardhmen. Sipas Kryetares së KQZ-së, ushtrimi i të drejtës së votës është njëkohësisht vlerë dhe detyrë qytetare. Këto mesazhe Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi i dha para studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe maturantëve të shkollave të mesme, “Dhaskal Todri” dhe “Mahir Domi”.

Sesioni i trajnimit u zhvillua në formën e bashkëbisedimit dhe znj. Luzi i’u përgjigj interesit të votuesve për herë të parë, për t’u njohur me procedurat e gjetjes së emrit në listat e zgjedhësve, me procedurën e votimit, menaxhimin e zgjedhjeve nga KQZ, e të tjerë.

Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e projekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Seancë trajnimi u zhvillua gjithashtu edhe në sallën e mbledhjeve në Hotel “Skampa”

,

ku morën pjesë nëpunës të administratës publike, ish-komisionerë të zgjedhjeve të kaluara, trajnues, përfaqësues të mediave e të tjerë.