Deklarata e Zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjeve të procesit zgjedhor të 21 Qershorit 2015, një vemendje të veçantë i ka kushtuar zgjedhësve me Aftësi të Kufizuara.
Nga eksperienca e proceseve zgjedhore të viteve të kaluara, KQZ ka evidentuar problematikat me të cilat janë përballur Personat me Aftësi të Kufizuar gjatë proceseve të votimit.
Për këtë arsye Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar maksimalisht në marrjen e të gjitha masave që në zgjedhjet e datës 21 qershor të vitit 2015, të shmangë problematikat e evidetuara dhe të krijojë kushtet dhe lehtësitë e duhura, që Personat me Aftësi të Kufizuara të ushtrojnë të drejtën e votës, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë.
Si përsëritje e përvojës pozitive në vitin 2013, KQZ për fushatën edukuese zgjedhore për zgjedhjet e 21 qershorit, do të angazhojë sërish persona PAK, me qëllim që çdo material i prodhuar të “flasë” në gjuhën e tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojë një strategji efektive informimi, sensibilizimi dhe edukimi qytetar për këtë kategori zgjedhësish, e cila do t’i përgjigjet çdo nevoje të tyre për informacion mbi procesin e votimit.
Duke qenë se aktualisht jemi në fazën e përcaktimit të vendndodhjes së QV-ve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, u ka kërkuar me insistim Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore caktimin e vendodhjes së Qendrave e Votimit, që kanë të regjistruar zgjedhës me aftësi të kufizuara, në katet e para të objekteve publike.
Në funksion të vendosjes së QV-vë në objekte që lehtësojnë aksesin e kësaj kategorie zgjedhësish, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ju ka vënë në dispozicion Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, statistikat e evidentuara për Qendrat e Votimit që në zgjedhjet e kaluara ka patur zgjedhës PAK.
Për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendor të datës 21 qershor 2015, do të angazhojë pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, 12 Persona me Aftësi të Kufizuara, në 12 qarqet e vendit.
Personat e angazhuar në Zyrat Rajonale Zgjedhore do të kenë detyrë të ndjekin në dinamikë problematikat e zgjedhësve PAK dhe evidentimin e tyre në kohë, me qëllim marrjen e mënjëhershme të masave për zgjidhjen e saj, në Qendrat e Votimit dhe Zonat e Adminsitrimit Zgjedhor të qarkut përkatës.
Periudha e angazhimit të këtyre 12 personave do të jetë dy muaj para ditës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve, pra deri më 21 qershor 2015.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu si në zgjedhjet e vitit 2013, edhe në këtë proces zgjedhor do të bashkëpunojë ngushtësisht me Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara, ditën e zgjedhjeve, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lehtësisht dhe pa pengesa.
Faleminderit!