Sot, Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) prezantoi në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjetjet e studimit kombëtar “Liria e Votës dhe Votimi familjar në Shqipëri”.

Studimi, realizimi i të cilit ishte mbështetur teknikisht nga UN Women dhe financiarisht nga Qeveria Suedeze nëpërmjet UN Coherence Fund, dha një pamje multidimensionale të situatës së grave në Shqipëri në lidhje me sjellen e tyre si votuese, nivelin e angazhimit civil dhe politik, nivelin e mbështetjes publike për këtë lloj angazhimi, pjesëmarrjen në proçese të ndryshme të vendim-marrjes etj. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi, në fjalën e saj theksoi se të dhënat e studimit dhe diskutimet rreth tyre, do të jenë një ndihmesë për punën e KQZ-së, në një nga aspektet më prioritare, hartimin e strategjisë së edukimit zgjedhor të shtetasve, në gjetjen e formave më bashkëkohore dhe efikase të komunikimit për edukimin dhe sensibilizimin e zgjedhësve, veçanërisht të grave për të drejtat e tyre si qytetare, me synim ndalimin e fenomenit negativ të votimit familjar. z. David Sanders, përfaqësues i UN Women në Shqipëri, znj. Lisa Frederiksson, Drejtuese e Bashkëpunimit për Zhvillim, Ambasada Suedeze, në fjalën e tyre, duke evidentuar rëndësinë e të dhënave të studimit për të gjithë shoqërinë shqiptare, dhe gratë në veçanti, evidentuan se prezantimi i këtyre të dhënave përpara zgjedhjeve të vitit 2015, është një ndihmesë e madhe për të gjithë organizatat që merren me trajtimin e çështjeve gjinore.

Përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile, vëzhgues vendorë, ekspertë të fushës etj., në diskutimet e tyre theksuan rëndësinë që kanë të dhëna të tilla, të bazuara në intervistimin e drejtpërdrejtë të 2000 zgjedhësve, mbi bazë kampionimi rastësor me shtrirje të plotë gjeografike, në zona urbane dhe rurale, me grup mosha, nivele social-kulturore, dhe gjini të ndryshme. Një nënkampion i këtij studimi kombëtar përfshinte të dhëna nga intervista me komunitetin rom, realizuar në zonat ku ky komunitet, që përbën një nga shtesat më të margjinalizuara të shoqërisë, ka përqëndrimin më të madh.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE