Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI) me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë, zhvilluan një takim pune financierët e partive politike, lidhur me transparencën e financave të partive gjatë fushatës zgjedhore.

Në takim morën pjesë edhe ekspertët znj. Lisa Klein, ish-drejtoreshë e Departamentit të Financave Politike dhe z. Philip Tuker, ish-drejtori i Departamentit të IT në Komisionin Zgjedhor të Mbretërisë së Bashkuar.

Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi aktet nënligjore, procedurat dhe mënyra e duhur e plotësimit të dokumentacionit për donacionet dhe shpenzimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Gjithashtu, u ndanë eksperiencat dhe problematikat e hasura në zgjedhjet e mëparshme, si edhe u shkëmbyen ide për zgjidhjen e problematikave dhe përmirësimin e raportimit të financave të partive politike.