KQZ trajnon votuesit për herë të parë në Pukë. 

Trajnim edhe për administratën e Bashkisë. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar sesionet edukuese/trajnuese me nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme në qytetin e Pukës.
Me maturantët e shkollës “Sabah Sinani”  të cilët vitin e ardhshëm në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore do të jenë votues për herë të parë u trajtua tema “Vota, e drejtë kushtetuese dhe detyrim qytetar” .
Maturantët u bënë pjesë e aktive e trajnimit duke u informuar dhe sensibiziluar për rëndësinë që ka vota e lirë, e fshehtë dhe e pandikuar në zhvillimin e proceseve demokratike për të ardhmen e vendit.
Ndër të tjera, përmes simulimit të procesit të votimit, maturantët u njohën  me procedurat që ndiqen në qendrën e votimit, si edhe me veprimet jo ligjore (fotografimi i votës, votimi familjar) që cënojnë stadardet e procesit zgjedhor.

Gjithashtu, KQZ bashkëbisedoi më drejtuesit e Bashkisë së Pukës dhe administratën e saj lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e administratës së pushtetit vendor në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.
Çështjet që morën vëmendje kishin të bënin me punën për marrjen e masave paraprake për përgatitjen e  infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet vendore të vitit 2019, respektimin e afateve për hartimin dhe publikimin e ekstraktit të përbërësve zgjedhor, caktimin e vendndodhjes së Qendrave të Votimi dhe krijimi i kushteve infratrukturore për personat me aftësi të kufizuara.
Në kuadër të bashkëpunimit u diskutua ideja për bashkërendimin e veprimtarive për informimin dhe sensibilizimin e votuesve për veprat penale që cënojnë votën e lirë dhe të pandikuar,  në mënyrë që të luftohet fenomeni negativ i votimit familjar.