Komisioni Qendor i Zgjedhjeve zhvilloi Analizën Vjetore të Punës, “Administrimi i procesit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 qershor 2015 – problematikat & rekomandimet për përmirësimin e tyre”.

Të gjitha Drejtoritë e Administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nën moderimin e Kryetares së KQZ-së, zj. Lefterije Luzi, Zëvëndëskryetarit, z. Denar Biba dhe Anëtarëve, zj. Vera Shtjefni, z. Hysen Osmanaj, z. Gëzim Veleshnja, zj. Edlira Jorgaqi, analizuan ecurinë e zgjedhjeve të 21 Qershorit, hapat konkret për mirëorganizimin dhe mirëadministrimin e procesit zgjedhor si dhe problematikat e hasura gjatë punës.

Temat ku u përqëndrua Analiza Vjetore e Punës së KQZ-së janë;

– Këndvështrimi i përgjithshëm: Ecuria e procesit zgjedhor, për organet e qeverisjes vendore të datës 21.06.2015.

– Aplikimi i teknologjisë së informacionit në zgjedhjet e vitit 2015. Transmetimi i rezultateve paraprake dhe konsolidimi i tyre.

– Planifikimi dhe zbatimi i buxhetit për zgjedhjet. Financimi i partive politike.

– Dinamika e ngritjes dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë (zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, 21.06.2015

– Përgatitja dhe organizimi i logjistikës zgjedhore, efektet dhe pasojat ditën e zgjedhjeve.

– Pjesëmarrja e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2015, ankimi në rrugë administrative në KQZ, i vendimeve të KZAZ dhe ankimet në Kolegjin Zgjedhor të vendimeve të KQZ, etj.

– Trajnimi i komisionerëve zgjedhore (niveli i dytë, niveli i tretë dhe grupet e numërimit) dhe fushata e edukimit të shtetasve.

– Menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore në funksion të miradministrimit të procesit zgjedhor.

– Bashkëpunimi me partneret & donatorët. Procesi i regjistrimit të vëzhguesve vendas dhe të huaj.

– Media në zgjedhje dhe transparenca e procesit.

– Gjetjet dhe rekomandimet e raportit OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e raportit KiE, për procesin zgjedhor.

Pas trajtimit të problematikave të vërejtura gjatë vitit zgjedhor 2015 u propozuan edhe projekt-ide për zgjidhjen e këtyre problemeve por edhe për përmirësimin e punës për zgjedhjet e ardhshme.

Analiza u zhvillua dy ditë me radhë më mbështetjen financiare të OSBE-së ku të ftuar ishin përfaqësues OSBE, të Këshillit të Europës, Un Woman dhe përfaqësues të partive politike.

Kjo analizë do t’i shërbejë KQZ-së, si bazë për planifikimin e axhendës së KQZ për të ardhmen dhe për organizimin e tryezave teknike me qëllimin kryesor, “Ndryshimet në Kodin Zgjedhor”.