Simpoziumi i 13-të Ndërkombëtar për Çështjet Zgjedhore, Kryetari i KQZ-së, Denar Biba: Fitimi i besimit të qytetarëve, sfidë për KQZ.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Denar Biba merr pjesë në Simpoziumin e 13-të Ndërkombëtar për Çështjet Zgjedhore, që zhvillohet në Mozambik, në datat 5-6 dhjetor 2015.
Ky simpozium ndërkombëtar, i cili ka bërë së bashku zyrtarë të lartë zgjedhore nga vende të ndryshme të botës, ka në fokus shkëmbimin e eksperiencave të tyre mbi proceset zgjedhore dhe administrimin zgjedhor, si edhe menaxhimin e sfidave në të ardhmen.
Në këtë ngjarje me interes të madh për Trupat e Menaxhimit Zgjedhor në mbarë botën, Kryetari i KQZ-së, z. Biba mbajti një prezantim mbi “Sigurimin e paanësisë përpara votuesve”, i cili u prit me mjaft interes nga të gjithë të pranishmit.
Në fjalën e tij, z. Biba theksoi rëndësinë që ka perceptimi i qytetarëve për paanshmërinë e KQZ-së. Zoti Biba tha se: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, jo vetëm që duhet të jetë i paanshëm por edhe duhet ta shfaqë këtë në çdo veprim të tij. Fitimi i besimit të publikut, është një nga sfidat më të mëdha të këtij institucioni”.
Ky aktivitet i rëndësishëm u organizua nga Qendra Ndërkombëtare e Studimeve Parlamentare (ICPS), në bashkëpunim me Komisioni Zgjedhor i Mozambikut.