Miratohet lloji dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet  dhe pajisjet e votimit dhe numërimi elektronik.

Sot, Komisioni Rregullator shqyrtoi projekt vendimin “Për llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet dhe pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik që prokurohen dhe përdoren në zgjedhje në Republikën e Shqipërisë”.

Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, zj. Lealba Pelinku.

Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi që në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021, procesi i votimit dhe numërimit të votave, ku do të zbatohen projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më pak se 10 përqind dhe jo më shumë se 20 përqind të zgjedhësve, do të kryhet me  anë të sistemit dhe/ose pajisjeve elektronike, sipas përcaktimeve të miratuara me këtë vendim.

Për votimin dhe numërimin elektronik do të implementohet Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Votimit dhe Rezultateve (SEMVR) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN).

Sistemi, nëpërmjet PENV-ve, do të realizojë votimin elektronik si dhe përllogaritjen e saktë dhe të shpejtë të rezultatit në nivel Qendre Votimi pas mbylljes së procesit të votimit përkatësisht në secilën QV. Procesi i votimit dhe numërimit elektronik duhet të bazohet/respektojë të njëjtat parime votimi dhe numërimi, sikurse kryhet në kushte manuale, si dhe të sigurojë qartësi dhe lehtësi përdorimi për votuesin.

Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Votimit dhe Rezultateve duhet të operojë në pajisje dhe në rrjet të dedikuar e të paaksesueshëm dhe të jetë e vendosur në mjediset e KQZ-së. Gjithashtu, duhet të mundësojë konfigurimin e plotë të Pajisjeve Elektronike të Votimit dhe Numërimit (PEVN), si edhe qendërzimin e të dhënave në mënyrë të sigurtë nga të gjitha PEVN.

Procesi i identifikimit dhe procesi i votimit dhe numërimit elektronik janë tërësisht të ndarë prej njëri tjetrit për të  pamundësuar lidhjen e votuesit me votën.

Gjithashtu, vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik që do të përdoren në zgjedhje për Kuvendin.