KQZ certifikohet nën metodologjinë BRIDGE

Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u çertifikua për Planifikimin Strategjik nën metodologjinë ndërkombëtare BRIDGE.

Ceremonia e sotme finalizoi përfundimin me sukses të trajnimit të parë të këtij standardi në Shqipëri.

Certifikimi BRIDGE synon të standartizojë kurrikulën e përdorur për rritjen profesionale të KQZ-së dhe edukimin zgjedhor me cilësinë më të mirë bashkëkohore, e cila përdoret në mbi 40 vende të ndryshme.

Ky program u mbështet nga Këshilli i Evropës dhe zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike, nën ekspertizën e organizatës “IDEA International” me qendër në Suedi.

Shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkow theksoi rëndësinë e trajnimit i cili vjen në linën e mbështetjes afatgjatë që KiE dhe OSBE po japin së bashku në lidhje me fuqizimin e kapaciteteve trajnuese dhe edukuese të KQZ-së, duke ofruar mbështetjen për kapacitimin e mëtejshëm dhe të qendrueshëm të aktorëve vendas me metodologjinë BRIDGE.

Ndërkohë, Nënkryetari i KQZ, z. Denar Biba vlerësoi rëndësinë e programit BRIDGE për rritjen profesionale të administratës së institucionit, si edhe mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në fazën e dytë të tij, ky program do të realizojë çertifikimin e ekspertëve të parë shqiptarë, të cilët do të zbatojnë standardet BRIDGE në trajnimet që zhvillohen për trupën zgjedhore dhe grupet e tjera të interesit në Shqipëri.

Ky çertifikim i paraprin objektivave të reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR për ngritjen e një Qendre Trajnimi pranë KQZ dhe certifikimin prej saj të komisionerëve që do të përfshihen në zgjedhjet e ardhshme.