KQZ, sesion edukimi/trajnimi me votuesit për herë të parë në qarkun Dibër.
KQZ zhvilloi takim edhe me gratë në njësinë administrative të Maqellarës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sesione edukimi/trajnimi me maturantë të shkollës së mesme “Said Najdeni” në Peshkopi, të cilët në zgjedhjet e ardhshme do të jenë votues për herë të parë.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Dibër dhe kishte si temë “Vota dhe vlera e saj në demokraci”. Vemendje e veçantë i’u kushtua veprave penale që cënojnë zgjedhjet lira dhe të ndershme.
Të rinjtë, u bënë pjesë e aktive e trajnimit duke u informuar dhe sensibiziluar për rëndësinë që ka vota e lirë, e fshehtë dhe e pandikuar, në zhvillimin e proceseve demokratike për të ardhmen e vendit.
Përmes simulimit të procesit të votimit, maturantët u njohën me procedurat që ndiqen në qendrën e votimit, si edhe me veprimet jo ligjore (fotografimi i votës, votimi familjar, votimi për të tretët, etj.) që cënojnë stadardet e procesit zgjedhor.
Gjithashtu, Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u takua me gratë e njësisë administrative të Maqellarës.
Gjatë bashkëbisedimit vëmendje të veçantë i’u kushtua rëndësisë që ka vota, përse duhet të votojnë gratë, rritja e pjesëmarrjes së grave në votime si dhe problematikat që lidhen me shit-blerjen e votës.
Gratë u sensibilizuan se nëpërmjet votës, secila prej tyre jo vetëm ushtron të drejtën e saj, por njëherazi kryen edhe detyrën si qytetare, të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.
Ndër të tjera, ato u sensibilizuan për të mos pranuar fenomenet negative që cënojnë dhe tjetërsojnë vullnetin e tyre në zgjedhje, siç është votimi familjar apo veprat e tjera penale që cënojnë zgjedhjet.