KQZ trajnohet për modulin kompjuterik për administrimin e informacionit, për financimin dhe shpenzimet për fushatën zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të nenit 21, pika 15, të Kodit Zgjedhor, ka kompetencë të ushtrojë kontroll mbi financimet e fushatave zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Mënyrat dhe rregullat e këtij kontrolli janë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor në nenet 86 e në vijim të tij.

Në këtë kuadër, KQZ në bashkëpunim me mbështetjen finaciare të UNDP-së, ka përgatitur një modul kompjuterik për administrimin e informacionit, për financimin dhe shpenzimet për fushatën zgjedhore të subjekteve politike, i cili është përfshirë në Sistemin e Integruar të Administrimit të Informacionit Zgjedhor (IEMIS).

Nëpërmjet këtij moduli synohet të grumbullohet gjithë informacioni ligjor që ka të bëjë me procesin e financimit të partive politike dhe më pas të prodhohen raportet e nevojshme ku do të pasqyrohen problematikat përkatëse. Ndërtimi logjik i modulit është mbështetur në kërkesat ligjore, si dhe në formatet standarte për raportimin që ka miratuar KQZ.

Moduli për financimin e subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhore është instaluar në serverin e KQZ-së dhe mund të përdoret si nga administrata e KQZ-së, ashtu edhe nga partitë politike dhe/ose auditët ekspertë të pavaruar, sipas procedurave të përcaktuara më parë.

Sot, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u trajnua mbi këtë modul kompjuterik,. Trajnimi ka për qëllim të shpjegojë thelbin e aplikacionit dhe aftësimin e administratës në përdorimin e tij për administrimin e gjithë informacionit ligjor që ka të bëjë me procesin e financimit të partive politike.

Moduli aktualisht është në fazën e testimit, ndërsa me zhvillimin e tij, do të trajnohen edhe përfaqësues të partive politike dhe auditët që auditojnë financat e partive politike, me qëllimin për tu aftësuar për të hedhur të dhënat financiare, shpenzimet dhe bilancet e partive politike duke i ndihmuar në manaxhimin më të lehtë të raportimit financiar.