Deklaratë e KQZ-së për listat shumemërore.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda afatit të përcaktuar në nenin 67 të Kodit Zgjedhor, kanë depozituar lista shumemërore të kandidatëve për deputet për zgjedhjet për Kuvend, 17 parti politike.
Konkretisht, kanë depozituar lista shumëemërore:
1. Partia Komuniste e Shqipërisë
2. Sfida për Shqipërinë
3. Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
4. Partia Lista e Barabartë
5. Partia Uniteti Kombëtar
6. Aleanca Popullore për Drejtësi
7. Partia Demokracia Sociale
8. Partia Aleanca Demokratike
9. Partia Kristian Demokrate
10. Levizja Socialiste për Integrim
11. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
12. Partia për Drejtesi Integrim Unitet
13. Partia Social Demokrate
14. Partia Socialiste e Moderuar
15. Partia Socialiste
16. Fryma e re Demokratike
17. Partia Aleanca Demokristiane
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbështetje të nenit 73 të Kodit Zgjedhor, është duke përpunuar dhe verifikuar dokumentacionin e kandidimit për të gjitha partitë politike që kanë depozituar lista shumemërore.
Njëkohësisht, KQZ në zbatim të ligjit 138/2015, ligjit të dekriminalizimit, ka nisur edhe verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për kandidatët për deputetë.
Listat shumemërore të partive politike të cilat janë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor do të miratohen nga KQZ jo më vonë se data 5 maj 2017. Ndërkohë, për listat shumemërore të partive politike tek cilat do të konstatohen parregullësi në dokumentacionin e kanidimit, do të kthehen për plotësim jo më vonë se data 4 maj.
I gjithë procesi i miratimit ose refuzimit nga KQZ, i listave shumemërore për kandidatët për deputetë, do të përfundojë brenda datës 9 maj.
KQZ pasi të miratojë listat shumemërore e kandidatëve për deputetë do t’i publikojë ato në faqen zyrtare, së bashku me formularët e dekriminalizimit dhe jetëshkrimet (CV).
KQZ, e ndërgjegjshme për situatën politike në të cilën ndodhet vendi, por edhe e përgjegjshme për detyrën që i është ngarkuar, iu tërheq vemendjen të gjithë faktorëve dhe aktorëve politike se, nëse ende synohen manovra gjithëpërfshirëse, prej datës 3 maj 2017 jo vetëm ligjërisht, po edhe teknikisht shkelim kufirin e pamundësisë së çdo zgjerimi të pjesëmarrjes.

Faleminderit!