Deklaratë e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

 

Në datat 8 dhe 9 Maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon trajnimin e komisionerëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor në të gjithë vendin.

Kalendari i trajnimit i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të KZAZ-ve dhe trajnimi do të zhvillohet në selitë e KZAZ-ve përkatëse nga trajnues të cilët janë trajnuar nga KQZ.

Të gjithë komisionerët janë informuar nga KQZ për datat dhe orën e trajnimit, dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Por duke marrë në konsideratë rëndësinë e këtij procesi në funksion të mirëadministrimit të procesit zgjedhor, KQZ përmes medias i bën thirrje çdo komisioneri të jetë pjesë e trajnimit dhe të respektojnë me korrektësi axhendën e tij.

Gjatë trajnimit, komisionerët do të ushtrojnë në praktike  mënyrën e plotësimit të dokumentacionit, si dhe do të pajisen me material dhe dokumentacion informues e udhëzues për ushtrimin e detyrës së tyre, si manuale, udhëzime, vendime të KQZ-së, e të tjerë.

Trajnimi i komisionerëve ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mënyrën e administrimit të procesit, veçanërisht për 51 KZAZ-të që do të kryejnë procedurat e regjistrimit të kandidatëvë për orgnet e qeverisjes vendore (Kryetar Bashkie dhe Këshill Bashkiak).

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kandidatët për kryetar bashkie dhe kandidatët për këshillat bashkiak, kanë detyrimin të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit (formularin e dekriminalizimit) në KQZ.

Vlen të theksohet se, pavarësisht se në 51 KZAZ do të dorëzohen dokumentet e kandidimit, formulari i vetëdeklarimit do të dorëzohet në KQZ.

Ndërkohë, të gjithë organizatat vendore dhe ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve, janë të ftuara të monitorojnë procesin e trajnimit të komisionerëve të KZAZ-ve.

Faleminderit!