Intervista e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Lefterije Luzi, në emisionin “Ditë e Re” në televizionin Ora News, me gazetarët Edbin Peçi dhe Stela Kotri.

Përse keni vendosur që deri tani të mos dilni në asnjë intervistë, në median e shkruar, në revista, në studiot televizive dhe të refuzonin kërkesat e gazetarëve që mendoj kanë qënë të shumta?

Sigurisht që kërkesat e gazetarëve kanë qënë të njëpasnjëshme, që nga momenti që unë jam ulur në krye të KQZ-së, në detyrën time të re. Por detyra që unë kam, mënyra sesi funksionon Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e kushtëzon pak a shumë edhe profilin e kryetarit apo të anëtarëve për të dalë në media. Fakti është që ne mbledhjet i kemi publike, gjë që nuk ndodh me institucionet e tjera. Që do të thotë se ne jemi, sidomos në periudhën zgjedhore, gjithë kohën online, jemi gjithë kohën në media, jemi gjithë kohën me gazetarët. Ne diskutojmë, propozojmë, në atë tavolinë pune, vendosim dhe të gjitha këto bëhen online, mbledhjet zgjasin me orë të tëra dhe çfarë mund të them unë pas një mbledhjeje. Unë i kam thënë të tëra në atë tavolinë. Mendoj se kjo është një ndër arsyet, ku unë kam preferuar të mos bëj interpretim të atyre gjërave që kam thënë gjatë mbledhjes në atë tavolinë. Dhe mendoj që kjo është arsyeja që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dalin shumë rrallë në media, vetëm në raste të caktuara.

Pra, në kohën kur është e nevojshme për të dhënë një mesazh të rëndësishëm?

Unë do të preferoja kur doja të jepja një mesazh, atëherë mendoj se do të ishte çasti i përshtatshëm, në lidhje me punën që unë bëj. Një mesazh drejtuar qytetarëve për të shkuar për të votuar, mesazh drejtuar të rinjve. Pra, mendoj se vetëm kur unë kam nevojë të jap një mesazh, atëherë do të gjej median për t’u adresuar, ose media mua.

Ju i keni dhënë mesazhet, si përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, ashtu edhe kur keni votuar. Por, si është për një femër, – e para që drejton KQZ, të jetë në krye të një institucioni të rëndësishëm, aty ku merren vendime për zgjedhjet dhe ku keni patur debate të forta edhe me anëtarët e tjera burra?

Nuk do të doja që ta shikoja nga këndvështrimi që ju bëtë pyetjen. Si është për një femër. Se unë çdo ditë luftoj për jo për barazinë gjinoreve, por për gjininë time, që do të thotë që unë nuk e konsideroj vendin e punës që i takon një mashkulli apo një femre. Është thjesht një vend pune, të cilin mund ta bëjnë të dy gjinitë njëlloj. Kështu që nuk ka asnjë gjë më ndryshe që ta bëjë një burrë apo një grua. Fakti që unë jam në atë detyrë nuk do të thotë se ka lidhje me gjininë, unë kalova nëpërmjet një konkurimi. Në atë garë ne ishim 24 kandidatë dhe vetëm dy femra dhe arritëm në fund të konkurimit vetëm dy femra. Dhe kur arritëm në këtë pikë, thashë: tani nuk ka rëndësi fare se kush fiton nga ne, mjafton që në fund do të mbetet një femër.

Si ka qënë për ju ditët përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, ku edhe u sulmuat, u akuzuat, institucioni pastaj ngeli i përgjysmuar?

Institucioni i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është një institucion që gjithmonë sulmohet, nga mediat, nga politikanët. Ne jemi në fokus të të gjithë mediave dhe politikanëve. E them edhe mediave, sepse edhe media ka raste që i adresohet herë pas here me pa të drejtë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Dhe në ato raste unë nuk kam dashur të reagoj ose kundërreagoj ndaj atyre mediave. Por, unë gjithmonë i kam konsideruar mediat dhe gazetarët si kolegë dhe u drejtohem atyre duke u thënë gjithmonë që ju mund të bëni interpretime si të doni në lidhje me vendimarrjen e KQZ-së, por të paktën atë çfarë thuhet në atë tavolinë, mos e deformoni. Ju mund të thoni që në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve u vendos kështu, pastaj interpretimin politik, moral, bëjeni si të doni. Pra, është në dorën e mediave. Por ama, atë çfarë thuhet, duhet që media ta përcjellë ashtu siç është thënë atje. Pa e deformuar. Dhe në këtë kontekst, unë e kam si prioritet, pas zgjedhjeve, unë dua të punoj ngushtësisht me gazetarët, pasi ata duhet të jenë shumë mirë të informuar dhe duhet ta njohin shumë mirë ligjin, sepse një njohës i mirë i ligjit nuk sjell pastaj edhe deformim të lajmit. Gazetarët kanë shumë nevojë të njihen sidomos me gjithë teknikën legjislative që ka të bëjë me zgjedhjet. Është një teknikë e veçantë, që ndryshon nga fushat e tjera dhe është edhe më e vështirë se fushat e tjera. Prandaj do ta kem prioritet pas zgjedhjeve të punoj në veçanti me gazetarët në lidhje me këtë.

Edhe ky vit ka sfida të mëdha. Zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Por ndërkohë me çfarë është marrë KQZ-ja në kohën kur nuk ka zgjedhje, pasi pretendohet se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është në periudhë pauze kur nuk ka zgjedhje?

Faleminderit. Pasi kjo gjë nuk është vetëm perceptim i qytetarëve, por mua më vjen shumë keq që ky opinion reflektohet edhe te politikanët. Politikanët mendojnë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk bën asnjë gjë kur nuk ka periudha zgjedhore. Në fakt, ne kemi punuar fort që pas zgjedhjeve të 23 qershorit, sepse ato u analizuan gjerësisht në KQZ për të parë se çfarë rezultatesh produktive ose edhe negative kishin, çfarë efektesh u krijuan dhe se çfarë duhet të përmirësojmë ne në të ardhmen. Ne bëmë një rrugë shumë të gjatë, kemi organizuar shumë tryeza pune pas zgjedhjeve. E kemi filluar me personat me aftësi të kufizuar, sepse menduam që aty dështuam në zgjedhjet e 23 qershorit, pastaj vazhduam me kuotat gjinore, gjithashtu me mediat, një tjetër për financimin e partive politike dhe të gjitha këto tryeza ne i përmbyllëm në fund me rekomandime për ndryshime në Kodin Zgjedhor, të cilat ia drejtuam Kuvendit të Shqipërisë. Nëse Kuvendi do t’i marrë në konsideratë, në një kohë të dytë, pasi tani jemi në periudhë zgjedhore dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk ka kohë, ka prioritete. Që t’i hysh tani Kodin Zgjedhor dhe të fillosh ta shqyrtosh nga fillimi duhet një periudhë shumë e gjatë, por ne ia kemi vënë në dispozicion të gjitha këto rekomandime të KQZ-së për t’ia bërë më të lehtë punën, pasi ne jemi marrë me ndryshimet teknike dhe jo politike, sesi realisht funksionon në terren situata e zgjedhjeve. Ne në këto tryeza kemi patur gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve, grupet e interesit, personat me aftësi të kufizuar, gratë, por edhe politikanët, edhe shoqërinë civile dhe do të doja të falenderoja gjithë ndihmën e dhënë nga organizatat e huaja, OSBE-ja, UNDP, USAID, kanë qënë përkrah Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në gjithë rrugën e bërë.

Përveç tryezave, me çfarë është marrë tjetër KQZ, që prej shpalljes dhe çertifikimit të zgjedhjeve të fundit dhe deri tani?

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve jashtë periudhës zgjedhore ka për detyrë të merret me trajnimin dhe edukimin e shtetasve shqiptarë. Ky është një detyrim i përcaktuar në kod. Ne kemi bërë trajnime në gjithë Shqipërinë. Kemi bërë seanca të hapura me studentët dhe kemi qënë prezentë në çdo zonë të Shqipërisë, me grupet e ndryshme të interesit, me personat me aftësi të kufizuara, te votuesit për herë të parë, kemi diskutuar me ta, sesi mund të përmirësohet procesi zgjedhor. Pra, kemi qënë gjatë gjithë kohës në të gjithë Shqipërinë për t’u bërë të njohur njerëzve procesin zgjedhor. Pasi njerëzit konsiderojnë se procesi është vetëm një ditë, ku shkon edhe hedh votën në kuti. Por që të arrihet deri aty, duhet një punë shumë e madhe. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për votën, të shkojnë tek ajo kuti votimi të votojnë, sepse shumë nga njerëzit nga takimet që kemi pasur thonë “përse duhet të votojmë”. Në fakt është shumë e rëndësishme dhe dua t’i bëj një thirrje që edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, lokalet, njerëzit duhet të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Madje unë i bëj thirrje zgjedhësve që në këtë rast, kur të shkojnë për të votuar, të marrin edhe fëmijët me vete, edhe ata që nuk kanë të drejtë për të votuar. Ne e quajmë atë edukim pa para. Të ndjekin nga afër procesin dhe të bëhen më aktivë për të nesërmen. Nëse kemi një të drejtë kushtetuese që e ushtrojmë direkt, kjo është më e rëndësishmja, të shkosh të votosh.

Ju keni fituar edhe çmime ndërkombëtare për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve. Si kanë qënë për ju ato ditë, ajo periudhë?

Sigurisht që ishte shumë e vështirë. Ishte hera e parë që unë kisha kontakt me Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe polarizimi politik ishte i paparashikueshëm. Pasi kur shkon të marrësh një vend pune, njeriu e mendon që më përpara që ka dy-tre gjëra, por nuk kisha marrë parasysh polarizimin politik të kësaj situate dhe nuk e kisha sjellë asnjëherë ndërmend që do të kishte diçka të tillë. Është jashtë mase i fortë dhe sa vjen e më shumë afron dita e zgjedhjeve, aq më shumë rriten tensionet. E gjithë politika shqiptare dhe opinioni publik përqëndrohen vetëm tek ajo tavolinë, që për mua nuk është edhe kaq shumë e rëndësishme sa e bëjnë, pasi në fund të fundit çfarë bëjmë ne? Ne bëjmë vetëm menaxhimin e zgjedhjeve. KQZ ka për detyrë që t’u sigurojë të gjithë qytetarëve shqiptarë që të shkojnë të qetë në kutinë e votimit, që ky Komision t’u sigurojë që në atë qëndër votimi të mos mungojnë asnjë gjë, të hapet dhe të mbyllet në orën e caktuar, pra të gjithë strukturën, gjithë mbarëvajtjen, ne menaxhojmë zgjedhjet dhe kaq. Është populli ai që vendos, ne menaxhojmë. Por, mosmenaxhimi i mirë i joni do të çonte që rezultatet të ishin të kontestueshme.

Sigurisht, madje në zgjedhjet e fundit vendore, në një farë mënyrë humbi edhe besueshmëria ndaj institucionit. Ju pastaj punuat për rikthimin e besimit apo jo?

Kjo ka qënë një sfidë shumë e vështirë e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe aq më tepër siç e përmendët edhe ju, kur ne ngelëm me gjysmën e anëtarëve. Pastaj, sfida jonë ishte akoma edhe më e madhe dhe ajo çfarë i duhej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ishte i besueshëm edhe në sytë e ndërkombëtare ishte fakti që gjithë puna të vihej në transparencë të plotë, sepse nëse ti punon në një institucion e ke për detyrë transparencën, por nëse të mungon gjysma duhet ta tejkalosh edhe atë limit të transparencës. Nuk fshehëm asgjë dhe mendoj se kjo ishte arsyeja që morëm vlerësime nga ndërkombëtarët, ashtu si edhe çmimet ndërkombëtare, që edhe në këtë rast nga mediat u interpretua, sepse këtu edhe gjërat e mira interpretohen nga mediat, asnjëherë nuk thuhet të paktën “faleminderit”.

Me mediat qënkeni vërtet shumë kritike…

Jo, i kam kolegë, nuk e kam asnjëherë keq me to. Problemi është që të paktën njeriu, kur nominohesh, kur merr një çmim, nuk ka se çfarë do t’i thuash çmimit. Edhe çmimi komentohet. Për më tepër që ishte çmim ndërkombëtar, nga Instituti i Studimeve Parlamentare me qëndër në Londër dhe jepet nga një komision i gjërë, me përfaqësues të OSBE-së, të Komisionit të Venecias, përfaqësues me integritet në punën e tyre.

Tashmë Kuvendi ka votuar edhe tre anëtarët e mazhorancës dhe KQZ-ja është plotësuar më në fund…

Jam shumë e kënaqur që KQZ u plotësua dhe ardhja ime në studio ishte një rastësi me plotësimin. Ne do të fillojmë menjëherë punën, duke përgatitur menjëherë aktet, që janë të domosdoshme, pasi ne kemi hyrë në periudhë zgjedhore. Kemi kaluar në fakt disa akte. Sot (dje) zgjedhim nënkryetarin dhe duke nis nga e hëna Komisioni është në punë në kohë të plotë, 24 orë në 24.

Çfarë do të thotë për ju, rikthimi i Denar Bibës, me të cilin edhe keni debatuar?

Puna ka debate dhe unë asnjëherë debatin nuk e konsideroj në planin personal por e konsideroj si zhvillim. Pasi nëse një punë nuk ka debat, nuk ka zhvillim. Pasi nuk jemi të tërë në një mendje. Kështu që debati është konstruktiv. Përsa kohë që është konstruktiv, i shërben edhe punës. Mua më vjen shumë mirë që kam përsëri Denarin në KQZ, sepse është një djalë i provuar, është profesionist dhe në këtë mënyrë, unë do ta kem punën time edhe më të lehtë. Pa përjashtuar edhe kolegët e tjerë, të cilët edhe ata i njoh, sepse i përkasin fushës së drejtësisë dhe janë kolegë të nderuar. Ndërsa me Denarin është më e lehtë për mua, pasi është dikush që kam punuar më parë.

Si ia bëni me telefonatat që merrni nga politikanët?

A, nuk marr unë telefonata nga politikanët, fare.

Nuk merrni në sensin që nuk u përgjigjeni, apo nuk ju marrin fare?

Po për çfarë të më marrin? Politikanët kanë përfaqësuesit e tyre në tavolinën e KQZ-së dhe kjo është arsyeja që nuk kanë nevojë t’i bien telefonave. Sepse përfaqësuesit e partive politike, të cilët marrin pjesë në mbledhje janë pothuajse si anëtarët e KQZ-së, kanë të drejta dhe detyrime kaq shumë në kod, saqë nuk kanë nevojë politikanët t’i bien telefonave. Kanë të drejtë të flasin, të propozojnë, të ndërhyjnë në të gjithë aktivitetin e KQZ-së.

Po a kanë tentuar?

Jo, unë nuk kam pasur. Ndoshta është marrëdhënie që kam krijuar që në fillim. Nuk kam pasur, me asnjë lloj politikani, të kategorive të ndryshme.

Ju jeni sulmuar dhe akuzuar nga opozita e djeshme dhe mazhoranca e sotme. Duket sikur tani ka një lloj qetësie. Çfarë ka ndodhur në këtë drejtim?

Këtë pyetje duhet t’ia bëni opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme. Por gjithsesi mendoj se puna dhe ajo çfarë ka bërë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka sjellë një gjë të tillë. Megjithatë politikanët janë të qetë dhe mundtë vijojnë, unë nuk e kam për problem për pjesën e goditjeve, që herë pas here marr. Në detyrën që kam, janë pjesë e punës. Nuk më shqetësojnë fare. Edhe kur është personale, jam përpjekur që të komunikoj përsëri.

Çfarë po bën aktualisht KQZ-ja për zgjedhjet e ardhshme, që zhvillohen me ndarjen e re territoriale?

Ne jemi në pritje të ndryshimeve në Kodin zgjedhor, sepse vërtet reforma territoriale ka hyrë në fuqi, por kjo duhet të reflektohet edhe në Kod. Dhe parlamenti duhet të kalojë shumë shpejt ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ato që kanë të bëjnë vetëm me këtë, me reformën territoriale. Ne kemi përgatitur draftet tona, që me të mbaruar punë parlamenti, ne automatikisht të vazhdojmë me miratimin e akteve të nevojshme.

Është një sfidë procesi këtë herë apo jo?

Sigurisht, pasi ndryshimet e kodit në momentet e fundit, duan kohë efektive, të kuptohen, të reflektohen, të kthehen edhe në akte. Por KQZ, apo në përgjithësi politika shqiptare, madje më gjërë, të gjithë institucionet në Shqipëri janë mësuar t’i bëjnë ndryshimet në minutën e fundit.

Çfarë ndodh ndërkohë me Bashkitë dhe Komunat që nuk kanë dërguar ende listat?

Janë 183 Bashki dhe Komuna që nuk i kanë dërguar ende. Por them se janë më mirë me afatet se zgjedhjet e kaluara. Pavarësisht se unë dal dhe bëj punën time, duke i apeluar që t’i dërgojnë. Në zgjedhjet e kaluara patëm probleme me njësitë e qeverisjes vendore, sepse nuk na sillnin në kohë informacionin. Është një detyrim ligjor që e kanë me Kod. Unë kam detyrimin t’i kujtoj herë pas here, por më reflekton në punën time dhe duhet ta bëj. Në zgjedhjet e 23 qershorit, ne morëm masa administrative. Dhe këtë rradhë ata kanë gjetur një mekanizëm dhe kanë sjellë informacion, por jo të plotë. Ne jemi në pritje dhe nëse nuk reflektojnë, do të marrim masa.

Ajo që më ka bërë përshtypje është godina shumë e vjetër dhe e amortizuar e KQZ-së. A keni në plan për t’u zhvendosur në ndonjë godinë të re?

Të ftoj të vish në bodrumet e KQZ-së, janë vërtet në gjendje dramatike. Qeveria i ka dhënë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve një godinë të re, që është në ish-ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes. Jemi në procedurat e prokurimit për të bërë një rikonstruksion të kësaj godine dhe për ta sjellë në nivelin e punës që i duhet KQZ-së. Kemi në plan, nëse gjërat na shkojnë siç edhe presim, se rezultatin e zgjedhjeve vendore do ta shpallim nga godina e re. Qeveria na ka akorduar gjithë fondin e nevojshem, edhe godinën, jemi në procedurat e nevojshme ligjore të prokurimit.

Cilat janë detyrat dhe vendimet e afërta të KQZ-së?

Të hënën kemi një mbledhje tjetër, ku do të merren disa vendime. Ndërkohë, data 5 shkurt, është dita botërore e zgjedhjeve dhe ne kemi planifikuar disa aktivitete. Do të jetë një “ditë e hapur” në KQZ, ku do ftojmë të gjithë qytetarët të vijnë në institucion. Kemi përgatitur materiale promocionale për ta, informacion për zgjedhjet. Gjithashtu në një nismë tjetër, në 12 zyra që ka KQZ-ja në qarqe, ku kemi inspektorët tanë që mbajnë marrëdhëniet me ZAZ-të, do të vendosim nga një asistent të tyre, që do të jetë një person me aftësi të kufizuar, duke kontribuar kështu në përfshirjen aktive të kësaj kategorie, në mënyrë që të shihen edhe më nga afër kushtet e kësaj kategorie për të marrë pjesë në zgjedhje.

Intervistoi: Edvin Peçi, Stela Kotri

Klikoni në linkun e mëposhtëm për të par

ë intervistën e plotë:

Kliko këtu