Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba dhe Nënkryetari, z. Hysen Osmanaj, pritën në një takim delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR-it.
Delegacioni i OSBE/ODIHR-it i kryesuar nga Dr. Richard Lappin, Zëvendës-Shef i Departamentit të Zgjedhjeve, dhe i përbërë nga znj. Ana Rusu, Këshilltare e Lartë për Zgjedhjet, z. Alexey Gromov, Këshilltar për Zgjedhjet të OSBE/ODIHR-it dhe z. Francesco Pagani, Këshilltar i Lartë Politik në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, ndodhen në vendin tonë për tu njohur nga afër me situatën e përgjithshme para-zgjedhore dhe përgatitjet e deritanishme për zhvillimin e zgjedhjeve të datës 18.06.2017.
Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba e njohu delegacionin e OSBE/ODIHR me veprimtarinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë për përgatitjen e procesit zgjedhor, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe financimit të fushatave zgjedhore.
Vizita e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR ndërmerret në përgjigje të ftesës së bërë nga qeveria shqiptare, për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare dhe në përputhje me mandatin e OSBE/ODIHR-it.
Pas përfundimit të vizitës, delegacioni do të hartojë një raport gjetjesh i cili do të përmbajë edhe rekomandimin mbi llojin dhe përmasën e Misionit (të pritshëm) të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.