KQZ-NDI tryezë teknike për financimin e partive politike.
Ekspertët nga Britania e Madhe trajnojnë Komisionerët dhe Administratën e KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Ambasadës Britanike në Tiranë, organizoi tryezën teknike me Komisionerët dhe Administratën e KQZ-së, duke u fokusuar në rolin që KQZ duhet të luajë si rregullator i financimit të partive politike në Shqipëri.
Kjo tryezë teknike, e dyta e këtij formati, u zhvillua në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që NDI , me mbështetjen e Ambasadës Britanike por edhe të USAID ka dhënë për KQZ-në, me synim forcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e strukturës përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e raporteve të auditimit të financave të partive politike përmes hartimit të një kuadri rregullator, procedural dhe metodologjik.
Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri falenderoi NDI dhe Ambasadën Britanike në Tiranë për kontributin e çmuar që po japin për Komisionerët dhe Administratën e KQZ-së, në përmbushjen e rolit të Komisionit në lidhje me transparencën e financimit të partive politike.
Nga ana e tyre, Zv.Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Sean Melbourne dhe Drejtoresha e Institutit Demokratik Amerikan, zj. Ana Kadovic vlerësuan progresin e bërë nga KQZ në lidhje me rritjen e transparencës mbi financimin e partive politike dhe garantuan vijimin e mbështetjes së KQZ-së edhe në zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore.
Ekspertët zgjedhorë (kryesisht për kontrollin e financave të partive poltike) nga Britania e Madhe, prezantuan praktikat më të mira ndërkombëtare në lidhje me kornizën operacionale të komisioneve zgjedhore duke bërë krahasimin e tyre me rastin shqiptar lidhur me rolin dhe përgjegjësitë si rregullator për financimin e partive politike.
Përmes diskutimeve u trajtuan problematikat e evidentuara përsa i përket monitorimit të fushatës zgjedhore, auditimit dhe raportimit të financave të partive politike gjatë fushatës zgjedhore dhe vitit kalendarik.
Gjithashtu, Komisionerët dhe Administrata e KQZ-së adresuan boshllëqet dhe dobësitë legjislative, si edhe shkëmbyen ide se si mund të përmirësohet metodologjia për të bërë të mundur transparencë sa më të plotë të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.
Gjetjet dhe konkluzionet e tryezës do të materializohen në një strategji për punën që KQZ mund të bëjë në përmbushjen e rolit të tij në fushën e financimit të partive politike.