Sot, në KQZ, nga përfaqësuesja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Alkida Llakaj u prezantuan anëtarët e Komisionit Rregullator dhe të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me marrjen zyrtarisht të detyrës nga anëtarët e Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Celibashi evidentoi formëzimin e plotë të institucionit të KQZ-së. Komisioneri deklaroi se shpreson që bashkëpunimi institucional mes tre strukturave të KQZ-së të jetë në efiçencë të plotë, me qëllim që koha e shkurtër që është në dispozicion të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve, të tejkalohet me vullnet akoma më të shtuar prej secilit. Zoti Ilirjan Celibashi i’u përgjigj interesit të medias lidhur me implementimin e teknologjisë në zgjedhje, dhe tha se: “Puna ka filluar për atë çfarë është në kompetencën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Nënkomisioneres. Është ngritur një grup pune, i cili do të shqyrtojë dhe vlerësojë të gjithë aspektet që lidhen me këtë çështje. Jemi në proçesin e përgatitjes së akteve rregullatore për këtë çështje. Kam besim se do të arrijmë suksese lidhur me këtë çështje, pasi jemi të ndërgjegjshëm që ka mjaft sensibilitet nga politika në lidhje me përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021. Për sa kohë një pjesë e shikon si një aspekt që lidhet ngushtësisht me integritetin e procesit zgjedhor, ne kemi të gjithë fokusin e duhur tek kjo çështje”. Po sot, në ambientet e KQZ-së, Komisioneri Celibashi zhvilloi një takim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, me të cilin diskutuan për një çështje tjetër të rëndësishme të lidhur me zgjedhjet sikurse është mundësimi i votimit të emigrantëve, pa qenë nevoja për tu paraqitur në një qendër votimi në Shqipëri. Komisioneri Celibashi konfirmoi angazhimin e plotë e serioz të KQZ-së për ta qasur këtë çështje edhe pse koha e shkurtër në dispozicion për të përgatitur një procedurë votimi të tillë, nuk ndihmon.