Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Këshillin e Europës, UN Women organizoi Konferencën “Kodi Zgjedhor: Mundësi për Përmirësim”, për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të 5 Tryezave Teknike të realizuara për trajtimin e aspekteve të rëndësishme të procesit zgjedhor. Të ftuar në këtë Konferencë ishin përfaqësues të partive politike shqiptare, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, drejtues të trupave zgjedhorë të rajonit, përfaqësues të shoqërisë civile, Policisë së Shtetit, ekspertë zgjedhorë, e të tjerë.

Në hapjen e punimeve të konferencës të pranishmit u përshëndetën nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Këshilltari për Zgjedhjet i Misionit të OSBE/ODIHR, z. Steven Martin, Ambasadori Florian Raunig, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Ilirjan Celibashi, Zëvëndëskryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë, z. Oerd Bylykbashi. Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konference, si përmbyllëse e inciativës së ndërmarrë nga KQZ, theksoi se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organi më i lartë shtetëror përgjegjës për organizimin, administrimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve, në përmbushje me përgjgjëshmëri të rolit dhe misionit institucional,duke synuar gjithmonë standardet më të larta të procesit zgjedhor, prej një viti ka analizuar dhe trajtuar teknikisht procesin zgjedhor përmes tryezave të rrumbullakëta gjithëpërfshirëse, duke mirëpritur çdo mendim, ide apo sugjerim, që i shërben përmirësimit të punës dhe përtej saj standardeve të procesit”. Zonja Luzi tha se “Rekomandimet që prezantohen, si produkt i diskutimeve të gjëra dhe gjithë përfshirëse, nuk shënojnë për KQZ-në përmbylljen e trajtimit në aspekt teknik të sfidave të procesit elektoral por vijimësi për punën e KQZ në funksion të realizimit të zgjedhjeve të ardhshme me më shumë standarde.” Nga ana e tij, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Raunig tha se me zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat vijnë së shpejti, tani është koha për autoritetet shqiptare të zhvillojnë një plan për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe se shpreson se konferenca e sotme do të shënojë fillimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm. Zoti Raunig tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë masa të menjëhershme për të mbushur vendet vakante në KQZ pasi përbërja e pjesshme e KQZ-së ka penguar dukshëm funksionimin e tij, përfshirë edhe administrimin e zgjedhjeve. Konferenca diskutoi mundësitë për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke u fokusuar në gjetjet dhe rekomandimet e trajtimit të aspekteve të rëndësishme të procesit zgjedhor si: – Praktikat më të mira të platformës së trajnimit të komisionerëve zgjedhorë; – Respektimi i kuotës gjinore në zgjedhje; – E drejta për të votuar e personave me aftësi të kufizuara; – Fushata zgjedhore dhe media; – Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes kësaj Konference do t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë këtë paketë të gjërë rekomandimesh, me qëllim përmirësimin e aspekteve të ndryshme të organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve, forcimit të rolit institucional të KQZ-së si dhe përmirësimit të ligjit zgjedhor në aspekte të cilat shenjojnë standardet e procesit zgjedhor. Në përfundim të punimeve të konferencës,

Kryetarja e KQZ, znj. Luzi duke falenderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe angazhimin, shprehu besimin se paketa e rekomandimeve që bën bashkë mendimin e akorëve zgjedhorë; atyre teknikë, të partive politike, shoqërisë civile, medias dhe grupeve të interesit, do të ketë vëmendjen dhe vlerësimin e ligjvënësve për përmirësim të ligjit zgjedhor në një reformë të mundshme zgjedhore.

Fjalimi i Kryetares

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE