Në kuadër të vijimit të veprimtarisë për edukimin zgjedhor të shtetasve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më datë 21.11.2014, zhvilloi sesionet e trajnimit në qytetin e Gjirokastrës, ku u trajtuan njohuri të përgjithshme për sistemin zgjedhor, ciklin zgjedhor, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor, rolin e medias, administratën zgjedhore, ngritjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve.
Sesionet e trajnimit, u zhvilluan në Sallën e Kinemasë së qytetit, mundësuar nga Bashkia Gjirokastër dhe në ambientet e Universitetit “Eqerem Çabej”, mundësuar nga Rektorati i Universitetit. Veprimtaritë u ndoqën nga një numër i madh të interesuarish, nëpunës të administratës publike, ish komisionerë, vëzhgues të zgjedhjeve të kaluara, pedagogë, studentë dhe të rinj të cilët do të votojnë për herë të parë.
Temat u trajtuan në formën e diskutimit me pjesëmarrësit, duke referuar dhe shembuj konkretë të zgjedhjet e kaluara nga ish-komisionerët apo të angazhuarit si vëzhgues. Pyetjet drejtuar Administratës së KQZ, dëshmuan interes për përftimin e njohurive zgjedhore, për të gjithë etapat dhe procedurat e procesit zgjedhor, nga individë me qasje të ndryshme me procesin zgjedhor: si votues apo si komisionerë, por veçanërisht nga votuesit e rinj për të cilët votimi është një eksperiencë e re.
Në kuadër të programit edukues që KQZ-ja zhvillon në vijimësi, ku në fokus është informimi dhe edukimi i të rinjve që votojnë për herë të parë, duke synuar forcimin tek ta, të kulturës qytetare për pjesëmarrje në votime, ushtrimin e së drejtës së votës duke respektuar të drejtat dhe detyrat e zgjedhësit dhe procedurat e votimit, me maturantët e qytetit u trajtua tema “Të votosh – vlerë e demokracisë- e drejtë dhe detyrë qytetare”. Sesioni me të rinjtë, i cili zhvillua në sallën e kinemasë së qytetit, u përmbyll me simulimin e një dite votimi, i cili i shërbeu të rinjve për të njohur konkretisht procedurat që ndiqen në qendrën e votimit nga votuesi, po ashtu edhe nga komisionerët.
Bashkëpunimi i Bashkisë së Gjirokastrës, Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Rektoratit të Universitetit “Eqerem Çabej”, ndihmuan për mbarëvajtjen e veprimtarisë, kalendari i së cilës do të vijojë në qytete të tjera me synim edukimin dhe sensibilizimin qytetar për procesin zgjedhor në vendin tonë.