“Forcimi i Pavarësisë së Organeve të Menaxhimit Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”
Sot, u organizua seminari me temë “Forcimi i Pavarësisë së Organeve të Menaxhimit Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Seminari u organizua nga Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP) përfaqësuar nga Z. Andrej Vrčon, Drejtor i Projektit/Sekretar i Përgjithshëm i CEP, në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar të Republikës së Sllovenisë.
Kjo ngjarje u nderua nga prania dhe adresimi i Ambasadores se Republikës së Sllovenisë zj. Lea Stančič.
Seminari kontribuoi në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, duke analizuar modele të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve dhe ndikimet e tyre mbi pavarësinë e Organeve të Menaxhimit Zgjedhor.
Gjatë seminarit u zhvillua analiza e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit, dhe diskutimet përmes analizave krahasuese u fokusuan tek; korniza ligjore dhe parimet udhëzuese, paanshmëria, transparenca, profesionalizmi, rregullat dhe procedurat e brendshme të Trupave të Menaxhimit Zgjedhor.
Ky seminar solli sëbashku ekspertë të zgjedhjeve dhe menaxhimit me përvojë në rajon dhe më gjerë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore, përfaqësues të partive politike dhe ekspertë ligjorë, të cilët dhanë ide dhe propozime për rritjen e bashkëpunimit mes organeve zgjedhore dhe partive politike.
Në përfundim të punimeve të seminarit, u nxorën konkluzionet dhe rekomandimet e punimeve të seminarit, si një paketë e cila mund t’i shërbejë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të ardhmen, për implementimin e modeleve më të mira të menaxhimit që rrisin paanshmërinë, profesionalizimin dhe pavaresinë e KQZ-së.