“Roli i Policisë në Zgjedhje”
Zëvëndëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Denar Biba, mori pjesë në trajnimin , “Roli i policisë në zgjedhje”, i organizuar nga Policia e Shtetit me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015.
Të pranishëm në çeljen e trajnimeve ishin edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Madrid Kullolli.
Ky trajnim do të zhvillohet në disa faza dhe në fazën e parë të trajnimit, në datat 24-27 mars, do të marrin pjesë 110 zyrtarë të nivelit të lartë e të mesëm të policisë, përfshirë zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e qarqeve, drejtorët e policisë kufitare dhe të emigracionit, si dhe shefat e komisariateve.
Më pas, do të trajnohen 6 grupe trajnuesish, të cilët do ta shtrijnë trajnimin te rreth 6 300 punonjës policie, deri më 30 prill.
Këto trajnime kanë si qëllim ndërgjegjësimi dhe informimi i efektivëve të policisë në mbarë vendin mbi rolin e tyre në procesin zgjedhor, në mënyrë që Policia e Shtetit të krijojë një mjedis të sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.