Sot, Konferenca e 25 –të e ACEEEO-s mbylli me sukses punimet tre ditore të saj! Gjatë kësaj konference ku morën pjesë 150 pjesëmarrës nga 40 shtete të ndryshme, ekspertë të lartë zgjedhorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve dhe përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, u trajtua zhvillimi i sistemeve dhe proceseve zgjedhore gjate 25 viteve të fundit.

Diskutimet e sesioneve plenare u fokusuan në stabilitetin e ligjit zgjedhor, integritetin e Trupave të Menaxhimit Zgjedhor, garancitë për zgjedhje të lira dhe demokratike, si edhe zhvillimi i teknologjisë zgjedhore.

Gjatë punimeve të konferencës pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin edhe panairin e kompanive që operojnë në fushën e teknologjisë së zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, zj. Lefterije Luzi, në përfundim të konferencës, vlerësoi se: “Trajtimi i temave për të gjithë aspektet zgjedhore, diskutimet e shumta rreth tyre, eksperiencat dhe zhvillimet e reja, si në fushën e legjislacionit, praktikave të suksesshme te institucioneve homologe, dhe të risive teknologjike në procesin zgjedhor, do të na shërbejnë në punën tonë, për përmbushjen e misionit për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të qenë gjithmonë në shërbim të zgjedhësit, për të rritur dhe forcuar besimin në forcën dhe rëndësinë e votës, në forcën dhe vlerat e demokracisë. ”

Kryetarja e KQZ-së njëkohësisht Presidente e ACEEEO-s, tha se punimet e kësaj konference kulmuan me zgjerimin e anëtarësisë së ACEEEO-s, ku KQZ e Kosovës u bë anëtari i 25-të me të drejta të plota. “Gjithashtu, vlen për t’u theksuar lançimi i organizatës më të re ndërkombëtare, Gratë në Menaxhimin Zgjedhor (WEM), ku Shqipëri dhe Kosova janë vende themeluese, e cila do të jetë një tjetër zë i fuqishëm lobues për barazinë gjinore” – tha Zonja Luzi.

Konferenca e 25-të Vjetore e ACEEEO-s ju ofroi pjesëmarrësve mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira zgjedhore, si dhe nxiti shpalosjen e ideve për përballimin e sfidave me të cilat përballen sistemet dhe proceset zgjedhore.