Sot, Kryetarja e KQZ, zj. Lefterije Luzi ka takuar komunitetin vllah në Selenicë të Vlorës. Kryetarja e KQZ u prit nga përfaqësuesi i komunitetit vllah të Shqipërisë në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, z. Kristo Goci, përfaqësues të bashkisë, e të tjerë.
Ky takim u zhvillua në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit dhe fushatës edukuese, sensibilizuese dhe informuese, të KQZ-së, fushatë e cila është ndërtuar mbi bazën e një Strategjie të mirëplanifikuar me synimin që të vijë sa më pranë çdo zgjedhësi shqiptar.
Takimi i sotëm i zj. Luzi me komunitetin vllah në kuadër të edukimit zgjedhor përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Vllahëve.
Në fjalën e saj zj. Luzi tha se e drejta e votës është një e drejtë që jua jep Kushtetuta dhe si një e drejtë e patjetërsueshme, duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë dhe të barabartë edhe nga komuniteti vllah. “Ju duhet të votoni dhe të zgjidhni përmes votës tuaj, votoni pasi jeni ju ata që vendosni për të ardhmen tuaj dhe të familjeve tuaja”.
Përfaqësuesi i komunitetit vllah, z. Goci, i cili është njëkohesisht edhe Kryetari i Shoqatës më të vjetër të Vllehëve të Shqipërisë “Arëmënji di Albanii”, e falenderoi Kryetaren e KQZ-së për punën që po bën institucioni që ajo drejton, për edukimin zgjedhor të këtij komuniteti duke prodhuar dhe shpërndarë materiale promocionale, edukuese dhe informuese edhe në gjuhën e tyre specifike.
Kryetarja e KQZ-së, po zhvillon takime të drejtëpërdrejta me zgjedhësit duke pasur në vëmendje të veçantë grupe specifike të zgjedhësve, sikundër janë pakicat kombëtare.
Projektet e veçanta për pakicat kombëtare, përtej detyrimit ligjor, synojnë qasjen e fushatës së KQZ-së edhe me parimet e parashtruara të Konventës Kuadër “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”.