Kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi ndoqi sot nga afër ushtrimin e votimit të maturantëve të shkollës së mesme “Arben Broci”, në Tiranë, në kuadër të projektit “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë”, të Këshillit të Evropës.
Qëllimi i kësaj vizite ishte jo vetëm vëzhgimi i procesit të votimit të nxënësve, por edhe transmetimi i mesazheve sensibilizuese për nxënësit dhe të rinjtë në përgjithësi mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në votim si dhe evitimin e fenomeneve negative që janë shfaqur në zgjedhjet e kaluara.
Të pranishëm në simulimin e qendrës së votimit, ishin edhe zj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit, zj. Romana Vlahutin, Shefja e Delegacionit te Bashkimit Evropian në Tiranë, zj. Dewi Van De Weerd, Ambasadore e Hollandës, zj. Debora Kern, përfaqësuesja e Ambasadës Zvicerane.
Kryetarja e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi, theksoi rëndësinë e respektimit të votës së fshehtë dhe evitimin e delegimit të votës nga të rinjtë. “Votuesit e rinj janë prioriteti i edukimit tonë, pasi ata do ta ushtrojnë këtë të drejtë për herë të parë dhe duhet të kenë informacion të bollshëm në lidhje me votën. Ju ftoj që të votoni për kandidatin më të mirë, që plotëson më mirë interesat dhe pritshmëritë tuaja dhe duke evituar fenomenet negative gjatë votimit. Së bashku me ju, mund t’i realizojmë edhe këto zgjedhje të lira dhe me standartet më të mira ndërkombëtare”.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, falenderoi në fjalën e tij financuesit e këtij programi Këshillin e Evropës dhe ambasadën zvicerane si dhe Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin e afruar. “Sot, po finalizojmë programin e edukimin dhe ushtrimit praktik të votimit për 35 mijë maturantë në të gjithë vendin. Shpresojmë, që ndërgjegjësimi për zgjedhjet dhe evitimi i fenomeneve negative të shitjes së votës apo delegimit të saj, të ketë mbërritur nëpërmjet nxënësve tek çdo familje edhe në zonat më të largëta”.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, nënvizoi në fjalën e saj rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të maturantëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.“Është një mundësi e vyer që shkolla t’i qaset formimeve dhe shprehive që kanë të bëjnë me votimin për herë të parë, për të pasur në Shqipëri realisht një votë të lirë, të fshehtë dhe që u shtrohet në mënyrë të përgjegjshme dhe në liri të plotë”, tha Nikolla. “Është shumë e rëndësishme që shkollën ta afrojmë me proceseve të tilla që edukojnë qytetarë të një demokracie evropiane”.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, zj. Romana Vlahutin, u shpreh e entuziasmuar nga interesimi i nxënësve për procesin e zgjedhjeve. “Nuk duhet të harroni se vetëm disa vite më parë, e drejta e votës iu mohohej një pjese të mirë të shoqërisë edhe në disa vende të Evropës Perëndimore. Ju sot e keni fituar këtë të drejtë për të votuar dhe mos ngurroni ta shfrytëzoni për kandidatin e duhur, sepse këta kandidatë do të jenë njerëzit që do të vendosin për shërbimet dhe zhvillimin e vendit tuaj”.
Ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, zj. Dewi Van De Weerd, e vendosi theksin tek programet e kandidatëve që u ofrohen të rinjve. “Mos hezitoni që të votoni, por njëkohësisht duhet të jeni aktiv dhe t’iu kërkoni kandidatëve të qytetit tuaj që të përfshijnë në programet e tyre sa më shumë projekte për të rinjtë dhe për zhvillimin e ambjenteve kulturore dhe rekreative, në mënyrë që qyteti juaj të zhvillohet sa më mirë dhe të bëhet i jetueshëm për të gjithë moshat”.
Përfaqësuesja e ambasadës zvicerane në Tiranë, zj. Debora Kern, si një nga kontribuesit financiarë të programit, nënvizoi rëndësinë që i jep vend i saj organizimit të referendumeve dhe zgjedhjeve të lira për shumë çështje të prekshme për qytetarët. “Këto janë zgjedhje vendore dhe shpresoj që të gjithë ju të mos mungoni në 21 Qershor në qendrën e votimit për të thënë fjalën tuaj për drejtuesit e qytetit tuaj. Çdo votë është e rëndësishme dhe mos hezitoni ta shfrytëzoni këtë mundësi”.
Informacion mbi programin “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve
për herë të parë” në zgjedhjet vendore 2015
Mbi 140 mijë të rinj do të fitojnë të drejtën për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e 21 Qershorit 2015. Një e drejtë mjaft e rëndësishme, për të cilën shumë prej të rinjve nuk janë të informuar. Për këtë qëllim, Këshilli i Europës dhe ambasada Zvicerane në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po zbatojnë gjatë muajve të fundit në shkollat e mesme të vendit programin “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë”.
Ky projekt zbatohet nën kujdesin e Akademisë së Studimeve Politike, si një program i Këshillit të Evropës, i cili vepron prej vitit 2007 në Shqipëri. Fushata në shkollat e mesme është ndërtuar mbi eksperiencën pozitive të fituar nga fushatat e mëparshme të vitit 2011 dhe 2013.
Në dy muajt e fundit, programi ka trajnuar 385 mësues në të gjithë territorin e vendit, duke synuar që të mbulojë të gjitha shkollat e mesme publike në vend. Këta mësues, kanë zhvilluar dy orë informuese mësimi mbi demokracinë, sistemet zgjedhore dhe rëndësinë e votës me rreth 35 mijë maturantë që ndodhen në bankat e shkollave.
Programi po finalizohet gjatë kësaj jave të tretë të muajit Maj me ushtrimin e votimit, një proces simulimi i qendrës së votimit ku maturantët marrin role përkatëse si komisioner apo vëzhgues dhe gjithashtu votojnë për 2-3 kandidatët e zgjedhur nga klasa apo shkolla e tyre. Nëpërmjet këtij ushtrimi, synohet praktimi i votuesve të rinj me procesin, por edhe informimi i tyre mbi problemet e votimit familjar apo delegimit të votës, të cilat dëmtojnë standartet zgjedhore. Nxënësit nxiten gjithashtu që të transmetojnë këto mesazhe ndërgjegjësimi edhe tek familjarët e tyre.