KQZ celebron Ditën Botërore të Zgjedhjeve

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve celebroi Ditën Botërore të Zgjedhjeve, e cila mbahet çdo vit të enjten e parë të muajit Shkurt.

Veprimtaritë për këtë ditë u organizuan në Qendrën Rinore Tirana, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institutin e Kulturës Rome (IRCA).

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin të rinjtë e shkollave të mesme të kryeqytetit, studentë, të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë romë.

Në fjalën e mirëseardhjes Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi, përcolli mesazhet e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ku ndër të tjera theksoi se: “Rritja e standardeve të procesit zgjedhor, kërkon përfshirjen dhe kontributin e të gjithëve, veçanërisht të ju të rinjve. Jeni ju, që me pastërtinë e mendimeve tuaja, me energjinë dhe forcën tuaj rinore, dhe me angazhimin tuaj, mund dhe duhet të bëheni barriera të pakapërcyeshme për fenomenet negative që cënojnë VOTËN E LIRË!
Sipas Kryetares së KQZ-së, shmangia e fenomeneve që cënojnë standartet e procesit zgjedhor si: indiferenca për të marrë pjesë në votim, votimi familjar apo ndikimi i vullnetit të zgjedhësit, kërkojnë angazhimin dhe bashkëpunimin në vijimësi të të gjithë aktorëve dhe faktorëve institucionalë e shoqërorë.

Luzi: Edukimi zgjedhor i shtetasve, është mënyra më efikase në luftën ndaj këtyre fenomeneve dhe forcimin e kulturës zgjedhore tek votuesit e sotëm dhe të nesërm.

I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, falenderoi KQZ-në për punën që zhvillon me të rinjtë për edukimin e tyre zgjedhor dhe vuri theksin tek bashkëpunimi i të gjithë institucioneve për tu treguar të gjithëve se sa e rëndësishme është që të votojnë.

Ministri Klosi u shpreh se: “Sot i drejtohemi të gjithë të rinjve shqiptarë që pjesëmarrjen në vendimarrje, pjesëmarrja në ditën e votimit, hedhja e votës për forcën që ata dëshirojnë, është një gjë shumë e rëndësishme në jetë. Është, jo vetëm se është hera e parë për ju, por është e rëndësishme gjatë gjithë jetës tuaj. Kush nuk merr pjesë ka jo aq të drejtë të ankohet apo të kritikojë, por ama të gjithë kemi të drejtën të gjykojmë. Prandaj unë e mbështes shumë këtë inisiativë dhe kërkoj që të kemi një shtrirje mbarëkombëtare të këtij procesi”.

Drejtori Ekzekutiv i IRCA-s, z. Blendi Taho duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me KQZ-në, u shpreh se aktivitete të tilla kanë rëndësi të vecantë për komunitetin Rom, si një nga grupet shoqërore që ka më së shumti nevojë për kulturë zgjedhore.

Në simbolikën e kësaj dite, KQZ materializoi bashkëpunimin me IRCA-n përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi, me synimin e zhvillimit në vijimësi të projekteve specifike edukuese mbi zgjedhjet për komunitetet Rome, të cilat do të implementohen gjatë vitit 2016.

Më tej, aktiviteti vijoi me prezantimin e njërit prej projekteve edukuese, ku të rinjtë romë u vendosën në rolin e protagonistëve duke u simbolizuar me elementët kryesorë të zgjedhjeve, si; lista e zgjedhësve, dhoma e fshehtësisë, kutia e votimit, boja timbruese, vulat e QV, fleta e votimit apo komisionerë dhe vëzhgues.

Roli dhe rëndësia e secilit element në procesin e votimit, përfshiu të gjithë të rinjtë në diskutime të lira, të cilat u shoqëruan edhe me opinionet e tyre mbi procesin real të zgjedhjeve.

Dita Botërore e Zgjedhjeve celebrohet nga KQZ për të dytin vit radhazi, me anë të së cilës përcjell mesazhe të rëndësishme mbi vlerën e votës së lirë, të barabartë dhe të fshehtë.

Përshëndetja e Kryetares së KQZ-së, znj. Lefterije Luzi, në Ditën Botërore të Zgjedhjeve.