Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Autoritetin për Mediat Audiovizive.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi, Zëvëndëskryetari, z. Denar Biba dhe Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala.
Marrëveshja e miratuar një ditë më parë me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u nënshkrua në kuadër të zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 21.06.2015.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fjalën e saj përshëndetëse tha se marrëveshja e sotme nënshkruhet në zbatim të Kodit Zgjedhor, për monitorimin e medias gjatë transmetimit të fushatës zgjedhore.
Zonja Luzi tha se; “Kjo marrëveshje do t’i shërbejë Bordit të Monitorimit të Medias, ndaj më lejoni të ngre shqetësimin se BMM akoma nuk është ngritur, dhe kjo ka ndodhur për shkak se organizatat jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias dhe që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë, nuk kanë sjellë propozime”.
Kryetarja e KQZ-së i’u bëri apel sërish OJF-ve që operojnë në fushën e medias që të sjellin sa më shpejt propozimet për anëtarë të BMM-së, në mënyrë që ti hapin rrugë KQZ-së për krijmin e Bordit.
Nga ana e tij, Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala tha se kjo marrëveshje bashkëpunimi është perfeksionuar në nenet e tij dhe kjo do të ndikojë në përmirësimin e punës se Bordit të Monitorimit të Medias.
Marrëveshja e nënshkruar ka si qëllim angazhimin e palëve për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Autoritetit për Mediat Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore.