Luzi merr pjesë në Konferencën e 6-të të Trupave Zgjedhore
Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi mori pjesë në Konferencën e 6-të të Trupave Zgjedhore që u mbajt në Gjeorgji në datat, 16-17 Shkurt 2016.
Konferenca, e cila u organizua nga KQZ-ja e Gjeorgjisë në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (ICSP) dhe Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), trajtoi temën e “Integritetit Zgjedhor” dhe sfidat për garantimin e tij.
Diskutimet e konferencës, të cilat u fokusuan në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, synuan krijimin e një platforme për të ndarë eksperiencat e vendeve të ndryshme, qasjet për mënyrat efikase që shmangin manipulimet dhe praktikat e gabuara zgjedhore, në kontekstin e sigurisë së integritetit zgjedhor.
Ekspertë të OSBE/ODIHR, Komisionit të Venecias, Këshillit të Evropës, IFES, ICSP si dhe Kryetarë të KQZ-ve të vendeve të ndryshme, trajtuan çështje të rëndësishme si: elementët kyç të integritetit zgjedhor, pjesëmarrja si kusht për integritetin zgjedhor, pavarësia e trupave zgjedhore dhe iniciativat për forcimin e kësaj pavarësie, e të tjerë.
Kryetarja Luzi në diskutimin e saj me temë, “Integriteti zgjedhor dhe menaxhimi i zgjedhjeve – rasti i Shqipërisë”, ndau eksperiencën shqiptare për menaxhimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015, ku elementë të rëndësishëm si: Transparenca e KQZ-së në organizimin dhe administrimin e procesit, transparenca e çdo veprimtarie përgjatë gjithë ciklit zgjedhor dhe edukimi zgjedhor i votuesve, garantuan integritetin e procesit zgjedhor.
Gjithashtu, punimet e konferencës i shërbyen forcimit të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet trupave të ndryshme zgjedhore dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm në fushën e zgjedhjeve.