KQZ – mbështetje për zgjedhjet për Parlamentin Rinor Fier
KQZ në vlerësim të krijimit të kulturës zgjedhore tek të rinjtë, pjesëmarrjes në vendimmarrje përmes votës së lirë dhe demokratike, ka mbështetur në vijimësi, me logjistikë zgjedhore dhe ekspertizë, zgjedhjet për Parlamentin Rinor Fier, strukturë përfaqësuese e nxënësve të shkollave të mesme të Qarkut Fier prej 13 vjetësh.
Në zgjedhjet për deputetët e Parlamentit Rinor Fier 2019, të cilat u zhvilluan më 24 janar, votuan 6 400 nxënës të 18 shkollave të mesme të Qarkut Fier, 2000 prej të cilëve do të jenë votues për herë të parë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Nxënësit e angazhuar si komisionerë të Qendrave të Votimit të ngritura në çdo shkollë, u trajnuan për kryerjen korrekte të procedurave nga hapja e votimit e deri në mbylljen e tij. Në vendin e numërimit të votave, të krijuar në biblikotekën e Shkollës “Janaq Kilica”, u trajnuan nxënësit e angazhuar si numërues dhe vëzhgues, për të gjitha procedurat nga marrja në dorëzim e kutive të votimit e deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar. Procesi i numërimit, filloi në orën 14:00 u përmbyll në orën 18:30. Në përfundim të tij, u shpallën 65 deputetët e rinj të Parlamentit Rinor Fier nga 180 nxënës që kandiduan.
KQZ, ka mbështetur zhvillimin e këtij procesi edhe përmes sesioneve të edukimit zgjedhor të zhvilluara në fazën përgatitore të tij, përgjatë muajve nëntor-dhjetor 2018, ku angazhimi i nxënësve për zgjedhjen e Parlamentit Rinor u vendos në kontekst të angazhimit qytetar për zgjedhjet vendore 2019, duke fokusuar rëndësinë e pjesmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të vendit, ndërgjegjësimin për veprat penale që cënojnë votën e lirë, veçanërisht cënimin e fshehtësisë së votës përmes fotografimit dhe shfaqjes në rrjete sociale. Përmes simulimit të procesit të votimit, në fund të sesioneve, nxënësit njohën dhe praktikuan procedurat e votimit.
Zgjedhjet për Parlamentin Rinor Fier u organizuan nga qendra Rinore “Epoka e Re”, me mbështetjen e “Olof Palme Center” dhe Ambasadës së Suedisë.