KQZ trajnon 54 trajnues te KZAZ-ve dhe 28 Inspektorë të Zyrave Rajonale Zgjedhore.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka trajnuar trajnuesit Komisioneve të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve) dhe  Inspektorët e Zyrave Rajonale Zgjedhore të qarkut Kukës, Lëzhë, Tiranë, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë.

Në kuadër të “Strategjisë së Trajnimit” të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përmbushje të detyrave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, trajnimi ka si qëllim rritjen e profesionalizimit të trajnerëve dhe inspektorëve rajonal në  administrimin e procesit zgjedhor si dhe përmbushjen e detyrave të tyre në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Trajnuesit e KZAZ-ve do të trajnojnë komisionerët e nivelit të dytë në të gjithë vendin, ndërsa inspektorët e zyrave rajonale zgjedhore, do të jenë ura e komunikimit dhe koordinimit ndërmjet KQZ-së dhe Komisioneve Zgjedhore.

I pranishëm në trajnim, Anëtari i KQZ-së, z. Bledar Skënderi, u kërkoi trajnuesve dhe inspektorëve rajonalë që,  të jenë të paanshëm dhe profesionalë në realizimin e detyrave të tyre.

Metodologjia e përdorur nga Administrata e KQZ-së përmes manualeve, fletoreve të punës dhe materialeve të prodhuara nga KQZ, për t’i ardhur në ndihmë anëtarëve të KZAZ-ve si gjatë trajnimit, ashtu dhe gjatë ushtrimit të detyrës, bënë që trajnimi të zhvillohej në formë bashkëbisedimi interaktiv, ku u sollën shembujt konkret të hasura në zgjedhjet e kaluara por edhe të problematikave të mundshme që mund të krijohen gjatë proçesit të zgjedhjeve dhe mënyrën sesi Kodi Zgjedhor u jep këtyre problematikave zgjidhje.

Ditën e dielë, do të zhvillohet trajnimi për trajnuesit e KZAZ-ve dhe inspektorët e zyrave rajonale të qarkut Shkodër, Durrës, Korçë, Fier, Dibër dhe Elbasan.

Nga trajnimi dy ditor i KQZ-së, përfitojnë 54 trajnues të KZAZ-ve dhe 28 Inspektorë të Zyrave Rajonale, pjesa më e madhe e të cilëve ka qenë trajnues dhe inspektorë edhe në zgjedhjet e kaluara.