Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vijim të veprimtarive për edukimin zgjedhor të të rinjve, më datë 8 nëntor 2018 zhvilloi sesione me  studentë të Universitetit “Ismail Qemali” dhe me nxënës të Shkollave të Mesme të Bashkisë Vlorë.

Në çelje të sesionit në Universitetin “Ismail Qemali”, zv.rektori Prof. Bilal Shkurtaj, duke falenderuar KQZ-në për organizimin e veprimtarisë, theksoi gadishmërinë e Rektoratit për organizimin e sesioneve të tjera në funksion të forcimit të kulturës zgjedhore tek të rinjtë studentë, një pjesë e të cilëve do të jenë votues për herë të parë në zgjedhjet vendore 2019.

Studentët e Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Shkencave Humane dhe Fakultetit të Shkencave Teknike, ndoqën me interes temën “Sistemi zgjedhor, cikli zgjedhor, administrata zgjedhore, vëzhguesit, të drejtat dhe detyrat e zgjedhësit”. Pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve fokusuan aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor si verifikimi i emrit në listën e zgjedhësve, hapat dhe veprimet që zgjedhësi ndërmerr për korrigjim të pasaktësive, veprat penale që cënojnë votën e lirë dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve dhe masën e dënimit për to, të drejtat dhe detyrimet e zgjedhësit gjatë procesit të votimit në Qendrën e Votimit.

Falë bashkëpunimit me Drejtorinë Rajonale Arsimore Vlorë, në ambientet e Shkollës së Mesme “Ali Demi” dhe “Halim Xhelo”, u realizuan sesione për edukimin zgjedhor të maturantëve të këtyre shkollave, të cilëve i ishin bashkuar edhe maturantët e shkollave të mesme  “Jani Minga” dhe “Mustafa Qemal Ataturk”.

Të rinjtë u njohën me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, dokumentet e vlefshme të identifikimit për votim, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Simulimi i procesit të votimit në mbyllje të çdo sesioni, ku të rinjtë studentë apo maturantë  u angazhuan si komisionerë, votues dhe vëzhgues, ndihmoi për qartësimin praktik të mënyrës së kryerjes së procedurave nga zgjedhësit, të drejtat dhe detyrimet, po ashtu  dhe nga  komisionerët zgjedhorë në Qendrën e Votimit.