Sot, delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja znj. Lefterije Luzi, zhvilloi një vizitë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës.

Fillimisht kryetarja e KQZ-së së Kosovës, znj. Valdete Daka u uroi mirëseardhje anëtarëve të KQZ-së së Shqipërisë dhe vlerësoi qëllimin e kësaj vizite.

Gjatë fjalës së saj, Kryetarja Daka kujtoi se anëtarët e KQZ-së së Kosovës kanë parë nga afër organizimin dhe mbajtjen e Zgjedhjeve të 21 qershorit për Organet e Qeverisjes Vendore dhe se janë ndarë të kënaqur me pritjen dhe hapësirën e krijuar nga KQZ për vëzhgim të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mbështetjen e ndërsjelltë ndërmjet dy institucioneve dhe nevojën e avancimit të metejshëm të bashkëpunimit ndër-institucional.

“Duke pasur në konsideratë marrëdhëniet tona të shkëlqyera, ne si institucione që kemi mision të njëjtë, sigurojmë vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në funksion të rritjes së mëtejshme profesionale, në ofrimin e shërbimeve cilësore zgjedhore për të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, tha kryetarja Daka.

Ndërkaq, Kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, znj. Lefterije Luzi, shprehu falënderimet për KQZ-në e Kosovës për mbështetjen logjistike gjatë Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 21 qershorit për pilotimin e dy projekteve për transmetimin e të dhënave për pjesëmarrje në zgjedhje në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Qendrat e Votimit.

“Si institucione me misione dhe përgjegjësi të njëjta, të cilët ushtrojnë veprimtarinë në vende me karakteristika të përafërta, përfitojmë shumë nga ndarja e eksperiencave zgjedhore, risitë në mënyrën e organizimit të punës, diskutimet për sfidat e së ardhmes, rrugët dhe mënyrat për përballjen e tyre. Ndihma e ndërsjellë me pajisje logjistike, është një aspekt tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit tone”, tha znj. Luzi.

Më tej, znj. Luzi informoi edhe lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor të 21 qershorit, arritjet dhe sfidat, si dhe për raportet e organizmave ndërkombëtare që monitoruan këto zgjedhje.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se vitin tjetër Shqipëria do të jetë vendi i organizimit të konferencës së 25-të jubilare të Asamblesë së Përgjithshme të ACEEEO, ku do të ftohet edhe KQZ-ja e Kosovës.

Anëtarët e të dy KQZ-ve ranë dakord për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

KQZ-ja e Kosovës dhe e Shqipërisë në mars të vitit 2014 kanë nënshkruar në Tiranë një Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim ngritjen e standardeve zgjedhore në të dy vendet, si dhe është në funksion të rritjes së eficiencës së punës institucionale dhe modernizimit të të gjitha aspekteve të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve.