Deklaratë për trajnimin e Anëtarëve të KZAZ-ve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e mërkurë trajnon Komisionerët ë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Trajnimi i komisionerëve të KZAZ-ve organizohet mënjëherë pas plotësimit të përbërjes së tyre nga anëtarë të propozuar nga të gjitha partitë politike që e kanë këtë të drejtë në bazë të përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.
54 trajnerë të angazhuar nga KQZ-ja do të realizojnë sesionet e trajnimit për 720 komisionerë të nivelit të dytë, në 54 vende trajnimi, sipas skemës së hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Materialet bazë të trajnimit, si manuali i KZAZ-së, reflektojnë ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë.
Pavarësisht masave organizative që KQZ ka ndërmmarrë për realizimin me sukses të trajnimit, KQZ i kërkon partive politike angazhim serioz dhe bashkëpunim, për të dërguar komisionerët e propozuar prej tyre në trajnim, pasi vetëm komisionerë profesionalë dhe të njohës të mirë të procesdurave ligjore, janë garanci për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.
Pjesëmarrja e komisionerëve të KZAZ-ve në trajnimin e organizuar nga KQZ është detyrim ligjor, sikundër mospjesmarrja e tyre apo moskalimi i testimit të njohurive, përbën shkak për shkarkimin e tyre nga detyra e Anëtarit të KZAZ-së.
Ndaj, ripërsërisim apelin ndaj partive politike që të ushtrojnë ndikimin e tyre që komisionerët të marrin pjesë në trajnimin e ditës së nesërme, dhe të bëhen pjesë aktive e programit trajnues.
Oraret e trajnimit dhe vendet ku do të zhvillohen trajnimet, i janë vënë në dispozicion të gjithë inspketorëve rajonalë që do të ndjekin veprimtaritë, KZAZ-ve dhe misionit vëzhgues të ODIHR-it.