Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi), me ftesë të Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), po merr pjesë në Programin Zgjedhor SH.B.A. 2014, që po zhvillohet në Washington, DC.

Në Programin Zgjedhor amerikan, që zhvillohet nga data 2-5 nëntor, marrin pjesë zyrtarë të lartë që përfaqësojnë autoritetet zgjedhore nga vende të ndryshme të botës, parlamentarë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që merren me administrimin e zgjedhjeve.

Ky program do t’u ofrojë pjesëmarrësve mundësinë për të vëzhguar dhe për të mësuar rreth sistemit zgjedhor amerikan si dhe shkëmbimin e eksperiencave e ideve për zgjedhjet dhe votimin, mbi perspektivën krahasuese ndërkombëtare.

Programi përfshin edhe simulim interaktiv të pjesëmarrësve përmes diskutimeve lidhur me rregullat që udhëheqin zgjedhjet.

Gjithashtu, pjesëmarrësit në Programin Zgjedhor amerikan 2014, do të ndjekin ditën e zgjedhjeve për anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që zhvillohen në 4 nëntor 2014, ku do të zhvillojnë vizita në vende të ndryshme të votimit në Distriktin e Kolumbisë, (Maryland dhe Virxhinia).

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi), do ndjekë gjithashtu edhe turneun e organizuar nga IFES në rrjetet kryesore të medias ndërkombëtare përfshirë edhe “Zërin i Amerikës”.