Konferenca “Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në Shqipëri – Mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejshëm: Legjislacioni, Administrimi, Edukimi”.
Zguri: Reforma zgjedhore duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, duhet të jetë transparente, e vendosur, e sigurtë dhe altruiste.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, organizuan konferencën me titull “Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 në Shqipëri – Mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejshëm: Legjislacioni, Administrimi, Edukimi”.
Konferenca u zhvillua në ambjentet e reja të Sallës së Trajnimit të Komisionit Qendror të Zgjedhejve, të realizuar me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe morën pjesë përfaqësues të lartë të KQZ, Këshillit të Evropës, OSBE, ODIHR dhe Komisionit të Venecias, bashkëkryetari i komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore, përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile, ekspertë për çështjet zgjedhore dhe organizata ndërkombëtare.
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri tha se; “Është koha që lidershipi politik të tregojë vullnet dhe vendosmëri, është koha të ngjallë besim, të krijojë siguri e të japë garanci. Reforma e ardhshme zgjdhore përbën një kusht, një mundësi e një detyrim për zhvillime cilësore, përbën premisën e të gjitha objektivave madhore që Shqipëria ka përpara. Prandaj kjo reformë duhet të bëhet “nëna” e të gjitha reformave, duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse, duhet të jetë transparente, e vendosur, e sigurtë dhe altruiste. Kjo reformë nuk pranon tolerime, nuk duron më dështime”.
Kryetari i KQZ-së vlerësoi se duhet të korigjohen veprimet dhe të ndryshohet/plotësohet legjislacioni duke mësuar nga gabimet e bëra në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë. “Pavarësisht arritjeve që u shënuan në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Raporti i OSBE/ODIHR-it flet për qarkullim të parave të dyshimta në fushatën zgjedhore, flet për intimidimin e zgjedhësve dhe shit-blerje të votës, për përdorim të burimeve të administratës publike dhe politizimin e administratës zgjedhore. Të gjitha këto nuk duhet të pranohen më as si thashetheme, jo më si ngjarje, si fakte apo si shqetësime”.
Gjatë fjalës së tij Kryetari i KQZ_së, z. Zguri theksoi se për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, kërkojnë ndërhyrje immediate.
Diskutimet e konferencës u përqendruan në gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe në asistencën e ofruar nga Këshilli i Evropës në mbështetje të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri.
Përmes një analize të çështjeve kryesore problematike të vërejtura në raportet e mësipërme, konferenca synoi të përcaktojë hapat kryesorë që duhet të ndërmerren në kontekstin e një reforme të ardhshme zgjedhore.