Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi priti një përfaqësi të grave parlamentare nga Republika e Taxhikistanit, të cilat vizitojnë Shqipërinë me ftesë të OSBE-së, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave për rritjen e përfaqësimit të grave në jetën politike.
Kryetarja e KQZ-së u uroi mirëseardhjen në Shqipëri, dhe bëri një panoramë të përgjithshme të përfaqësimit të gruas në organët e zgjedhura dhe në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.
Duke referuar rritjen e përfaqësimit të grave në parlament dhe në organet e qeverisjes vendore ndër vite, Zonja Luzi vuri theksin tek efekti pozitiv i kuotave gjinore, aplikuar në zgjedhje që nga viti 2008 dhe përmirësuar me amendimet e mëvonshme të Kodit Zgjedhor. Kryetarja e KQZ-së, theksoi kontributet e Kuvendit, partive politike, por edhe të KQZ-së për të përmirësuar legjislacionin me qëllim rritjen e përfaqësimit të grave në organet e zgjedhura dhe në administratën zgjedhore.
Nga ana e tyre, Delegacioni i Taxhikistanit, duke i shprehur mirënjohjen kryetarës së KQZ-së për mikëpritjen dhe informacionin e plotë për çeshtjet gjinore në zgjedhje, vlerësuan faktin që KQZ-ja e Shqipërisë drejtohet nga një grua dhe kërkuan të njihen më hollësisht me procesin e zgjedhjes dhe sfidat me të cilat është përballur zj. Luzi.
Takimi, i cili vijoi në formë formë bashkëbisedimi evidentoi arritjet dhe sfidat më të cilat përballen realitetet e dy vendeve në fuqizimin e rolit të gruas në jetën politike dhe publike, u vlerësua nga delegacioni i Taxhikistanit, si një mundësi shumë e mirë për të përfituar nga eksperienca dhe progresi i dukshëm që ka bërë Shqipëria.
Në përfundim, Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi në cilësin e Presidentes së ACEEEO-s, ftoi anëtaret e delegacionit të marin pjesë në Konferencën e 25-të të ACEEEO-s që do të mbahet në Shtator 2016, në Tiranë.