Informacion për organizimin e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Kolonjë.
Regjistrohen në KZAZ-në nr. 73, dy kandidatë për kryetar të bashkisë Kolonjë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar dhe vijon punën për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor të datës 20.11.2016, për kryetarin e Bashkisë Kolonjë dhe informon se ditën e hënë, datë 31 tetor, ka përfunduar afati për regjistrimin e kandidatëve që garojnë në zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kolonjë, pranë KZAZ-së nr 73.
Komisioni i Zonës sëAdministrimit Zgjedhor nr. 73, me vendimin nr. 3 të datës 31.10.2016, ka vendosur të regjistrojë si kandidat për kryetar të bashkisë së Kolonjës, z. Ilia Sotiraq Stefo, të propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, dhe me vendimin nr. 4 të datës 31.10.2016, ka vendosur të regjistrojë si kandidat për kryetar të bashkisë së Kolonjës, z. Dritan Hajrulla Hajro, të propozuar nga koalicioni “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”.
KQZ sjell në vëmendje se data 1 nëntor 2016, është afati i fundit për partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit, për t’i depozituar ato pranë KZAZ-së nr. 73, Kolonjë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të datës 20 nëntor, fton partitë politike të respektojnë detyrimet ligjore në çdo etapë të këtij procesi të pjesshëm zgjedhor, afatet e të cilit janë të shkurtuara.