NJOFTIM PER SHPALLJE INTERESI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 36, pika 5, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, Udhëzimit të KQZ-së nr. 4, datë 19.02.2013 “Për procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës së krijuar në KZAZ dhe KQV”, shpall kërkesën për shprehje interesi nga shtetas për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit për zgjedhjet për Kuvend të datës 18.06.2017, dhe si anëtarë apo sekretarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kavajë të datës 7.05.2017.
Shtetasit e interesuar për t’u emëruar kryesisht nga KZAZ si anëtarë apo sekretarë të KQV-ve, duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret si më poshtë:
të gëzojnë të drejtën për të qenë zgjedhës;
të kenë të paktën arsimin e mesëm;
të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
të mos kenë marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme (në rast se kanë qenë komisionerë zgjedhorë);
të mos jenë deputetë ose kandidatë për deputë në Kuvend;
të mos jenë të zgjedhur në organet e zgjedhura të qeverisjes vendore;
të mos jenë ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, ose të Shërbimit Informativ Shtetëror;
të mos kenë qenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
të mos jenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve, apo të propozuar nga parti politike për anëtarë apo sekretarë të KQV-ve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton shtetasit që plotësojnë kriteret e kërkuara dhe që janë të interesuar për tu angazhuar si anëtarë apo sekretarë të KQV-ve, të paraqesin pranë Zyrës së Protokollit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ose pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore të KQZ-së dokumentacionin si më poshtë:
1. Kërkesë për shprehje interesi për t’u emëruar kryesisht si anëtar apo sekretar i KQV në Zonën Zgjedhore përkatëse, ku të depozitohet numri telefonik i kontaktit;
2. Çertifikatë personale;
3. Kopje të noterizuar të diplomës së nivelit arsimor të përfunduar;
4. Vetëdeklarim i nënshkruar për plotësimin e kritereve të përcaktuara në pikat 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9.
Shtetasit e interesuar duhet të kenë parasysh se aplikimi është i vlefshëm vetëm për KQV-të që përfshihen në territorin e qarkut ku ata kanë vendbanimin e tyre.
Çdo shtetas që emërohet kryesisht për plotësimin e vakancës në KQV:
– gëzon të njëjtat të drejta dhe ka të njëjtat detyrime si çdo anëtar dhe sekretar i propozuar nga partitë politike, sipas parashikimeve në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe aktet nënligjore të KQZ-së.
– gëzon të drejtën e shpërblimit në përputhje me përcaktimet e Vendimit të KQZ-së nr. 6, datë 12.01.2017.
Afati i Aplikimit:
Data 06.05.2017, për shtetasit e interesuar për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të KQV-ve për zgjedhjet për Kuvend të datës 18.06.2017;
Data 22.04.2017, për shtetasit e interesuar për t’u emëruar kryesisht si anëtarë apo sekretarë të KQV-ve për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kavajë të datës 7 maj 2017.