Sot, Komisioni Rregullator, shqyrtoi projektvendimin “Për llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet dhe pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve që prokurohen dhe përdoren në zgjedhje në Republikën e Shqipërisë”.
Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, zj. Lealba Pelinku.
Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi që në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021, procesi i identifikimit të zgjedhësve në të gjithë qendrat e votimit (QV), në territorin e vendit, do të kryhet me ndihmën e pajisjeve elektronike. Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “software” si dhe pajisjet “hardware” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë.
Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve.
Gjithashtu, vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.